Një ditë para festës së Kurban Bajramit, Myftinia e Beratit ngre shqetësimin se shumë objekte të kultit mysliman në Berat janë lënë në harresë të plotë nga shteti.

Sipas Myfinisë së Beratit, shteti që duhet të jetë i pari që duhet të mbrojë trashëgiminë kulturore kombëtare ka lënë në harresë totale shumë objekte të kultit musliman, të cilat tashmë po shkojnë drejt shkatërrimit.

Denoncimi i fortë vjen nga imami në Myftininë e Beratit, Gerald Koro, i cili pohon se ajo që ka ndodhur me objektet e kultit mysliman në lagjen “Kala” të Beratit tregon qartë se ato kanë mbetur jashte vemendjes se shtetit.

Imami Koro shprehet se, xhamitë jo vetëm që nuk po rikonstruktohen por po kthehen në stalla bagëtish, teksa thekson faktin se me kishat nuk ndodh e njëjta gjë, sipas tij ato i janë nënshtruar restaurimit të plote.

Imami Koro, përballë heshtjes së shtetit për zgjidhjen e kësaj situate, i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për ti kthyer xhamitë e qarkut të Beratit në funksionale për besimtarët dhe për t’ja kthyer komunitetit mysliman me dinjitet.

Imami Gerald Koro ka denoncuar edhe vjedhjet e dëmtimet e përsëritshme që janë kryer në disa xhami. Ai është ndalur në Xhaminë e Kuqe, një ndër më të vjetrat në Shqipëri, tabela e të cilës jo pak herë është gjetur nga besimtarët e thyer.

Sipas Koros, dëmtimi i përsëritur i pllakës treguese të Xhamisë së Kuqe që ndodhet brenda zonës muzeale të Kalasë së Beratit, është kthyer në një problem shqetësues për besimtarët myslimanë beratas që kërkojnë që akte të tilla të mos përsëriten më cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare që karakterizon qytetin e Beratit. Imami Koro u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë edhe për këto dëmtime dhe të marrin masat e nevojshme për të ndëshkuar ata që prekin xhamitë.

“Në emër të Zotit, ndodhemi në Kalanë e Beratit. Këtu është Xhamia e Kuqe, e ndërtuar nga tregtarët e lindjes, por edhe nga banorët në respekt të miqve të tyre te lindjes. Ju e shikoni në dorë kam një tabelë që vazhdimisht thyhet. Nuk e di kush janë ata kriminelë që e dhunojnë tabelën e kësaj xhamie. Ndoshta janë prej atyre që nuk duan ta besojnë që besimi islam nuk ka ardhur këtu nëpërmjet shpatës por me anë të tregtisë dhe është përhapur në mënyrën e natyrshme të njeriut. Si ajo shprehja e bukur ‘Zoti i Madhërishëm na krijoi në një vend të caktuar dhe në zgjodhëm besimin tonë’. Shpreh indinjatën time si besimtar mysliman që jam, që ky dhunim ka shkuar në vesh të shurdhër dhe asnjë institucion nuk ka marrë masat e duhura. Ata mund të ndryshojnë tabelat, por jo stilin bizantin. I bëjmë thirrje mos t’i përlyejnë duart e tyre me dinjitetin dhe faktet historike të xhamisë, një nga më të vjetërat në Ballkan. Objektet e kultit musliman po shkojnë drejt shkatërrimit, janë kthyer në stalla bagëtish“, tha mes të tjerash Imami Koro./(E.H/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re