Pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, qindra të rinj  u dyndën një ditë me parë duke protestuar para ambienteve të Ministrisë së Brendshme, Kryeministrisë, Drejtorisë së Policisë duke kërkuar drejtësi për të riun dhe që ministri Sandër Lleshaj të japë dorëheqjen.

Protesta megjithëse ishte paralajmëruar si paqësore, nuk e frenoi dot vrullin dhe revoltën e të rinjve, dhe për pasojë u shoqëruar edhe me dhunë ndaj institucioneve shtetërore, ku ndër të tjera u shkatërruan edhe dekoret festive.

Gazetari Poli Hoxha në një shkrim në rrjetet sociale duke ju përgjigjur “të indinjuarve për shkatërrimin e pemës”, shkruan se edhe pema foli “Më në fund erdhët dhe më dogjët, se nuk e duroja dot rolin tim të turpshëm fasadë.”

Poli Hoxha: Pema foli! Nuk e di a e dëgjoi njeri, por unë e dëgjova klithmën e gëzimit të Pemës së Vitit të Ri: “Më në fund erdhët dhe më dogjët, se nuk e duroja dot rolin tim të turpshëm fasadë. Shyqyrë që erdhët më rrëzuat e më dogjët, sepse të gjithë duhet ta dinë që në këtë vend Festë ka vetëm për batakçinjtë e pangopur të pushtetit dhe politikës.

Nuk më vunë madhështore dhe plot drita për të gëzuar ju, sepse e dinë që juve ju janë djegur dritat në xhepa e në shpirt! E dinë që ju kanë rrjepur edhe lëkurën e shtatë dhe me atë, kanë bërë gëzofë për gratë dhe dashnoret. U mblodhën të gjithë; i gjati, i shkurtëri, fiku, tigri, guruja, skenderbeja…dhe më inauguruan plot bujë. E bënë për tu tallur me ju!

Ndaj bëtë mirë që u zgjuat, e kuptuat dhe më në fund erdhët dhe më shkatërruat e më dogjët, edhe pse duhej që Feudi duhej të bënte “kurban” gjakun e Klodianit. Nëse nuk do vinit, do të kisha marrë flakë vetë nga turpi.

Turpi kur shërben si fasadë normaliteti dhe feste, për një tufë makutërish që jo vetëm ju marrin lëkurët për të bërë gëzof për gratë, dashnoret, shokët e grave dhe gratë e shokëve, por edhe ju tallin dhe ju poshtërojnë!”.

 

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re