“Me aparatin fotografik dal gjithmonë për një arsye. Atë që sjell rasti e rastësia, nuk mund ta gjesh”

Këto janë fjalët e një të moshuari, që thuajse të gjithë jetën ia kushtoi fotografisë. Ende sot e gjen në rrugët e Shkodrës. Domosdo me aparatin fotografik edhe sot, pavarësisht moshës së shtyrë. Kujton momente të bukura, apo çaste të shkuara, që sërish i janë ‘rishfaqur’.
“A ka ma kënaqësi, se nalet një zojë e të thotë zoti Tonin, ma fotografo mbesën. Më ke fotografuar vajzë, më ke fotografu nuse e tash më fotografo me mbesën.”-thotë Tonin Gega, në një intervistë për median.

Tonini thotë se pa aparatin s’mund të bëjë dot, sepse është pjesë e trupit, mendjes e jetës.
“Aparati është jeta për mu. Përpara se me vesh rrobat, kisha aparatet se ai bëhet si pjesë e trupit”

Por vitet e fundit, për këtë fotograf kanë qenë të vështira. Ai ka humbur të shoqen. Tregon mes fjalëve të zgjedhura, se kur një burrë humb të shoqen, barra është e madhe.
“Me humbjen e gruas kam humb shumë. Gruaja është e pazëvendësueshme. Dikur kanë thënë se “fatbardhi vdes vetë, rrezik ziut (fatkeqit, fatziut) i vdes gruaja”… atij qe i vdes gruaja, atë ditë ka vdekur edhe ai”
