Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duket se nuk do ti bindet aspak urdhrit të qeverisë për të mbajtur maskat kudo veçse në shtëpi. Në një intervistë për RTV Ora, shprehet se nuk do e mbajë maskën dhe u bën thirrje shqiptarëve që të mos e zbatojnë vendimin që do të hyjë në fuqi të enjten e kësaj jave.

“Personalisht nuk kam për ta mbajtur maskën. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve. Maska mbahet aty ku është e domosdoshme për ta mbajtur

Po hyre 100 veta në lokal hyr pa maskë, po dole në rrugë me maskë. Ky zotëria që thotë se duhet mbajtur maska 24 orë, e ka bërë llogarinë sa u kushton kjo shqiptarëve? Sa është efekti te xhepat e shqiptarëve? Apo ka ndërmend të bëjë ndonjë koncesion për maskat? Unë për vete nuk do e mbaj maskën.

Nuk besoj se Rama ka merak shëndetin e shqiptarëve. Se po ta kishte do të anullonte koncesionet në shëndetësi. Sa shqiptarë kanë bërë check-up? Por deri tani kanë kaluar 30 milionë euro te koncesionarët.

Kur specialisti del dhe thotë mos e mbani maskën në rrugë, del ky që nxori anijet luftarake dhe tanket në rrugë për të vrarë virusin… Këto janë qesharake që acarojnë publikun por nganjëherë revolta vjen nga kjo që, këta injorantë, që u kemi dhënë pushtetin, nuk duhet mbajtur maska por duhet të dalë në rrugë. Do tu bëj thirrje që e ndalon çdo polic, qoftë i Veliajt, qoftë i Ramës, ti kundërpërgjigjen. Se edhe policët nuk kanë para për maska. A kishin maska policët që morën pjesë në shembjen e teatrit”, tha Kryemadhi.

Në fundjavë, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për media, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe u shpreh:

“Ditën e mërkurë ne do të publikojmë masën dhe masat ndëshkimore dhe nga dita e enjte të gjithë me maskë sapo të nxjerrin veten nga shtëpia, kudo, kudo, kudo dhe gjobat do të zbatohen në kohë reale. Nuk do të ketë më asnjë mundësi për tju shmangur gjobave sepse do ti zbatojmë me OSHEE.

Nga java e ardhshme maska do jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë dhe restorantit apo barit ku je ulur në tavolinë për të konsumuar atë pjesë të kohës aty. Maska do jetë e detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, hapësirë publike dhe masa ndëshkimore do zbatohet për të gjithë te fatura e dritave, mos të ketë asnjë iluzion, asnjë individ që mund ti shmanget gjobës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re