Lulzim Basha i është përgjigjur ironisë së kryeministrit Rama, i cili ironizoi programin ekonomik të kryedemokratit dhe të cilin e konsideroi si një tramvaj me shalqi që nuk piqet kurrë. Në një reagim në Twitter, Basha i thotë se “gërrvërret prej palaçoje nuk ia mbulojnë dot dështimin”, ndërsa i përmend vjedhjet e qeverisë me miliona euro, përfshirë edhe inceneratorët.

Reagimi i Bashës: Gërrvërret prej palaçoje nuk e mbulojnë dot dështimin tënd dhe krizën ku i ke zhytur njerëzit. Pas çdo gërrvërri ti fsheh vjedhjet e qeverisë prej miliona eurosh, si mbrëmë me inceneratorët. Para që duhet të shkojnë te shëndetësia, të papunët, pensionistët e biznesi në krizë.

Më parë, në reagimin e tij Rama tha se në fakt drejtimin e tramvajit e ka Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi.

“Programi i Lulit është një tramvaj me shalqi që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”, shkroi kryeministri në Twitter.

Prej disa ditësh kreu i qeverisë Edi Rama është duke futur në etiketim të ri në fjalorin e tij kur i drejtohet rivalit të tij Lulzim Basha, duke e quajtur atë një shalqi me provë, pasi është testuar disa herë në qeverisje, dhe sipas socialistit nuk ka ditur të bëjë asgjë.

Basha nga ana e tij e ka quajtur Ramën ‘palaço” dhe i ka kërkuar atij që të marrë parasysh propozimet e PD-së për rimëkëmbjen ekonomike, që ndahet në 5 shtylla. Pikë së pari është rritja e mbështetjes për shëndetësinë, dhe rimbursimi i ilaçeve për të gjithë personat e prekur me Covid, tek shkollat, apo mbështetja me çeqe direkte për biznesin e vogël.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re