Nga takimi në Fier, kryeministri Edi Rama ka folur rreth marrëveshjeve që kanë arritur me disa shtete për njohjen e pensioneve, duke thënë se më e vështira ka qenë me Italinë.

Rama shtoi se marrëveshja me Greqinë do të kërkojë dhe pak kohë, por jo për shkakun e qeverisë shqiptare, por sepse ka një peshë të rëndë financiare.

“Sot që flasim kemi arritur të lidhim marrëveshje mbi 20 shtete. Më e vështira ishte ajo me Italinë. Gjë që bën të mund që të gjithë ata që dalin në pension, të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore që kanë paguar në atë vend.

Pjesa e fundit është lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën jemi në diskutime. Do të kërkojë kohën e vetë jo për shkakun tonë, por për shkak se ka një peshë të rëndësishme financiare”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal dhe te mos deklarimi i sigurimeve shoqërore, duke e cilësuar si problem serioz.

“Një arsye tjetër që është po kaq e rëndësishme, është se vazhdojmë të kemi një problem serioz me shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Këtu është koha për të bërë një përpjekjet të fuqishme nga ana jonë, sepse jemi në kushtet që rritja ekonomike na e ka mundësuar për të folur se çfarë duhet të bëjmë konkretisht”, tha Rama.

Ndër të tjera ai tha se në qendër të vëmendjes së PS janë pensionistët.

“Ne jemi PS e Shqipërisë dhe nëse nuk e kemi në qendër të vëmendjes pensionistin nuk meritojmë emrin që mbajmë. Por ama për të folur për rritjen e pensioneve duhet të flasim për të gjithë këto faktorë dhe nuk është diçka që mund ta bësh duke iu nisur nga dëshira apo interesi politik i një momenti të aktual. Nëse e bën, ajo që bën është hap një grupo në hapat e mëtejshëm që është edhe më e rrezikshme se gropa e piramidës, falimenton shtetin”, tha kryeministri.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re