Skip to content

‘Nuk ecën, s’mund të ushqehet, s’ka kujtesë’, të gjithë bashkë mund të ndihmojmë Adorën 20-muajshe, ka nevojë për trajtim jashtë vendit, nëna e saj zbulon kalvarin

Dorina Shema, është nëna e Adorës 20 muajshe e cila kërkon ndihmën e të gjithë shqiptarëve, për kurimin e vajzës së saj jashtë vendit.

Përmes ekranit të Fax News ajo ka zbuluar gjithë kalvarin e vuajtjeve në këto 20 muaj, ku Adora menjëherë pas lindjes, ka kaluar për 1 muaj e gjysmë në koma, dhe ka paaftësi të ecë, të lëvizë dhe të kryejë aktivitete të ngjashme me moshatarët e saj.

Sipas Dorinës, shkak për këtë është bërë vonesa gjatë lindjes, dhe fakti se e vogla ka pirë shumë ujra nga e ëma.

Familjes i duhen të paktën 30 mijë euro, për kurimin e Adorës jashtë vendit, për shkak se në Shqipëri nuk ka specialitete të tilla.

“Gjendja e Adorës nuk është e mirë, ka temperaturë të lartë, nuk lëviz, nuk ecën, që fatkeqësisht një vajzë 20 muajshe duhet ti bëjë. Ajo ka vështirësi në të ecur, Adora ka lindur në 5 Qershor të 2020, dhe doktorët panë se ajo kishte disa probleme, një cianozë të thellë, ajo është nisur me urgjencë nga Shkodra për në Tiranë pas lindjes me cezarian.

Jam lënë me orë të tëra pa më kapur njeri me dorë,  edhe pse në mbikqyrjen e mjekëve, thjesht kisha ujëra jeshile në të zeza, Adora piu nga ato ujëra, dhe fatkeqësisht situata ishte ekstremisht e keqe, mjekët në Tiranë na kanë treguar se ajo ra në koma, dhe ka reaguar pas një muaj e gjysmë.

Pas 4 muajsh ne ndërruam doktoreshë, Aida Bushatin, aty zbuluam se Adora kishte dhe një diagnozë tjetër encefalopati, dhe në muajin e 9 doktoresha na tha se ajo kishte paralizë celebrale Adora nuk mund të ecte, tani i ka prekur shikimin, nuk e ka përtypjen, Adora nuk na njeh, pasi ka humbur kujtesën që në muajin e 4, ka infeksion shumë të lartë në gjak.

E vetmja gjë që ne duam është që ta dërgojmë për një trajtim të specializuar jashtë vendit. Adora nuk do ishte në këtë botë, pa ndihmën e stafit mjekësor, kanë bërë gjithçka që munden. Më shumë na kanë rekomanduar pjesë e Francës, Italisë dhe Gjermanisë, Adora ka nevojë për fizioterapi jashtëzakonisht afatgjatë, nuk e di sa do të zgjasë kjo.

Shtatzënia ime ka qenë shumë e mirë, nuk kam pasur probleme fare, kemi bërë të gjitha analizat, dhe gjithçka ka qenë super në rregull. E gjithë çështja ka qenë që Adora të lindtte më shpejt. Ka pasur një neglizhencë gjatë lindjes.

Unë kam biseduar me dy neurologë, që kanë thënë se duhen të paktën 30 mijë euro, pasi Adora ka nevojë për një kohë të gjatë fizioterapie. Apeli im është për këdo që ka mundësi të na ndihmojë, që Adora të ketë mundësi që të jetë si bashkëmoshatarët e tjerë.

Unë i falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, për çdo mesazh që na kanë dhënë.

Ka qenë shumë e vështirë për ne, pasi në këto afro dy vite, Adorën e kam sjellë gjithnjë me kriza, pa ndjenja, ka qenë një periudhë shumë e lodhshme fizike, dua që tiu plotësoj të gjitha që të mos kem asnjë peng, nëse një ditë nuk do e kem në krahë.

Nuk dua të derdh asnjë pikë loti, pasi këtë sfidë e kam pritur krahëhapur, ti pranoj sfidat ashtu siç më kanë ardhur, unë e di që me ndihmën e shqiptarëve do të bëhet më e mira.

Shumë prej ilaçeve dhe medikamentet që i duhen Adorës na është dashur që ti marrim nga jashtë, shumë persona na kanë ndihmuar gjatë vitit të fundit, pjesa e fëmijës është shumë e vështirë”, shprehet në mikrofonin e Fax News Dorina Shema.

Kushdo që ka mundësi të ndihmojë familjen e Adorës mund ta bëjë kë këtë LINK;

Diagnozat që ka Adora janë:

-Encefalopathy Epileptogjene e thellë

-Paralizë cerebrale spastike

-Microcephali

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb