Klodian Rasha, 25-vjeçari i vrarë nga efektivi i forcave “Shqiponja”, N.Hajdaraj, nuk ka qenë i armatosur në momentin kur është qëlluar. Burime të sigurta nga grupi hetimor bëjnë me dije për Fax News, se refuruar hetimeve të deritanishme, rezulton se i riu në momentin që është qëlluar nuk ka qenë i armatosur.

Hetuesit kanë dalë në këtë përfundim, pasi nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se 25-vjeçari kur është qëlluar nga polici është rrëzuar në tokë duke humbur ndjenjat. Dhe nga këqyrja që hetuesit kanë kryer, ka rezultuar se  përvecse në vendin e ngjarjes, nuk ka asnjë njollë gjaku tjetër, çka vërteton se pasi ka marrë goditjen Rasha nuk ka mundur të ecë më shumë se gjysmë metri.

Nga informacionet që Fax news ka siguruar nga grupi hetimor, mësohet se ka pasur një pellg gjaku vetëm në vendin ku Klodian Rasha është qëlluar. Duke qenë se arma që sipas policisë dyshohet se i përkiste viktimës, është gjendur rreth 100 m larg nga vendi ku u qëllua i riu, dhe përgjatë kësaj distance hetuesit nuk kanë konstatuar asnjë njollë tjetër gjaku, ata kanë dalë në përfundimin se Klodjan Rasha ka qenë i paarmatosur kur është qëlluar nga efektivi i policisë.

Ndërkohë, që ende nuk është vërtetuar nëse arma e sekuestruar 100 m larg vendngjarjes, ka qenë apo jo e viktimës. Ajo është dërguar në laboratorin e kriminalistikës ku do i bëhet ekspertiza nëse ka gjurme gishtërinjsh apo jo të 25-vjeçarit Klodian Rasha. Por, edhe nëse kjo armë rezulton nga përgjigja e ekspertizës të ketë qenë e Rashës, ai e ka hedhur atë kur është ndjekur nga polici, dhe ka qenë i paarmatosur kur është qëlluar drejt tij çka do të thotë se efektivit të policisë nuk i është rrezikuar në asnjë moment jeta.

Ndërkohë familjarët kanë hapur dyert e mortit dhe do të përcjellin Rashën për në banesën e fundit ditën e sotme në orën 11:00. Pranë shtëpisë së tij, vihet re se ka mbërritur edhe policia, por mbetet e paqartë arsyeja përse gjenden aty.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re