Kanceri kolorektal është bërë shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri te personat nën moshën 50 vjeç në Shtetet e Bashkuara, sipas një studimi të publikuar në Journal of the American Medical Association (JAMA).

Sipas të dhënave, normat e vdekjeve nga ky lloj kanceri në këtë grupmoshë janë rritur me rreth 1% çdo vit që nga viti 2005. Kjo rritje bie në kontrast me trendin e përgjithshëm, pasi vdekjet nga kanceri te personat nën 50 vjeç kanë rënë me 44% që nga viti 1990.

Nga pesë shkaqet më të shpeshta të vdekjeve nga kanceri te të rinjtë, vetëm kanceri kolorektal ka shënuar rritje, ndërsa kanceret e mushkërive, gjirit dhe leukemitë kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Edhe pse shumica e rasteve diagnostikohen ende te personat mbi 50 vjeç, numri i të rinjve në të 20-at, 30-at dhe 40-at e tyre që preken nga kanceri kolorektal po rritet me shpejtësi. Studiuesit kishin parashikuar që ky kancer të bëhej shkaku kryesor i vdekjeve te personat nën 50 vjeç deri në vitin 2030, por kjo ndodhi që në vitin 2023.

“Është një trend shqetësues dhe i pazakontë,” tha Rebecca Siegel nga Shoqata Amerikane e Kancerit, autore e studimit.

Shkaqet e kësaj rritjeje mbeten të paqarta, por ekspertët dyshojnë se obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, dietat e pasura me ushqime ultra të përpunuara dhe ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve mund të luajnë rol.

Mjekët u bëjnë thirrje të rinjve të jenë të vëmendshëm ndaj simptomave si gjak në jashtëqitje, dhimbje barku apo ngërçe dhe të kryejnë kontrolle të hershme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re