Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka folur rreth vizitës së Kryeministri shqiptar Edi Rama në Greqi, në kuadër të turit të takimeve që kreu i qeverisë do të zhvillojë me shqiptarët e diasporës, e që fillimisht nis në Athinë.

Mitsotakis ka thënë për mediat se Rama në Greqi nuk është i ftuar i qeverisë së tij, ndërsa ka zbuluar edhe detaje nga vizita e kreut të qeverisë shqiptare.

“Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme. Ne kemi probleme me marrëdhëniet greko-shqiptare”, tha ai dhe shtoi se “çështja e ndalimit të Fredi Belerit është europiane, jo dypalëshe”.

Kujtojmë se qeveria greke i kërkoi kryeministrit Rama që të anulonte vizitën për shkak të fushatës që po zhvillohet në Greqi për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Mirëpo, Rama u shpreh iu vendosur se udhëtimi i tij në Athinë do të zhvillohej sipas agjendës së përcaktuar tanimë.

Shefi i qeverisë rikonfirmoi vizitën e tij me një postim të ri në rrjetet sociale, duke thënë: “Pres me shumë krenari takimin me të gjithë ju, shqiptarë të Greqisë”.

Vizita e Ramës zhvillohet në një kohë kur Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri në listën e 42 kandidatëve në garën për një mandat në Parlamentin Europian, por pala shqiptare ka tentuar të hedhë poshtë çdo lidhje mes datës së përzgjedhur nga Rama dhe çështjes “Beleri”.

Autoritetet greke i druhen vizitës së kryeministrit Edi Rama për ndikimin që mund të ketë kryeministri shqiptar të votuesit lidhur me kandidimin e Belerit për eurodeputet, edhe pse GJKKO e dënoi me 2 vite burg për blerje votash vitin e kaluar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re