Një pjesë e gjyqtarëve që janë nxjerrë jashtë nga sistemi i drejtësisë nga filtrat e vetingut kanë ndërmarrë një iniciativë të re, Drejtësi për Drejtësinë, e kryesuar nga ish prokurori Gentian Tërnova, që i ka dërguar institucionit të Avokatit të Popullit një letër ku sipas një verifikimi të tyre, një pjesë e anëtarëve të komisioneve të vetingut nuk plotësojnë kërkesat ligjore për të qenë në atë post.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca shpjegon për A2 çështjen e ndërlikuar të kritereve, dhe qasjen e institucionit që përfaqëson në këtë fazë të rëndësishme të reformës në drejtësi.

“Kjo shkresë ka disa kohë që ka ardhur dhe është shtyrë për shkak të pandemisë. Me rifillimin e punës po merremi me të seriozisht, sepse institucioni ynë ka patur rol të rëndësishëm në lidhje me verifikimin paraprak të këtyre kandidaturave”, thotë Ballanca.

Sipas Avokatit të Popullit, duhet bërë fillimisht një diferencë midis kritereve të përcaktuar nga Kushtetuta nga ato të vendosura me ligj. Kushtetuta ka renditur më pak kritere, sipas saj,  dick aqë nuk dëshmon tolerim ndaj kritereve ligjore por mund të hasë pretendime nga ata që thonë që Kushtetuta mbizotëron mbi çdo ligj.

Në kohën kur Avokati i Popullit ishte angazhuar verifikimin  e kandidatëve, hetimi i tij bazohej vetëm në vetë-deklarimet e paraqitura nga vetë kandidatët, ose nga dokumente të paraqitura nga ata.

Kështu që sipas Ballancës, disa kandidatë kanë patur mangësi në këto kritere, veçanërisht në atë që përjashton ata që kanë patur hetime, jo domosdoshmërish penale.

Sipas saj, “do t’i verifikojmë deklarimet dhe do t’i dërgojmë një komunikim Kuvendit në lidhje me ketë fakt, dhe është Kuvendi që do të vendosë se çfarë do të bëjë”.

Këtu Ballanca specifikon se “këto kritere nuk kanë qenë akte formale strikte, ato thjesht do të merreshin në konsideratë nga Komisioni Parlamentar në zgjedhjen e kandidatëve, dhe jo domosdoshmërisht kriteret duhet të ndiqeshin në mënyrë të detyruar, kjo nuk është as në Kushtetutë dhe as në ligj. Nuk ka qenë qëllimi i legjislatorit që këto kritere të ishin përjashtuese”.

Nuk duhet harruar, sipas saj, që “thelbi i reformës në drejtësi duhet të jetë që mos të kemi njerëz të paprekshëm, që  gjyqtarët duhet t’i nënshtrohen parimeve të llogaridhënies, integritetit dhe transparencës. Kriteret kanë patur problematika, por fryma ka qenë të arrihet më e mira për t’ u bërë reforma në drejtësi. Asnjë dispozitë duhet të kuptohet në mënyrë bllokuese të një reforme, por zhbllokuese”.

Por ajo shton se vetë anëtarët të cilëve u janë evidentuar të meta në kriteret duhet të marrin përgjegjësinë e duhur. “Nëse vërtetë nuk ka plotësuar një, dy, tre kritere, duhet të tregojë integritetin për t’u përballur me këtë gjendje. Secili prej nesh mund të gaboj, por në momentin që është e qartë që interpretimi i ligjit është një, dhe kanë pasur një hetim, duhet të kenë përgjegjësinë për të mos marrë pjesë në ato trupa. Ato persona edhe mund të konsiderojnë dorëheqjen, nuk është një tabu”, thotë Ballanca, që tashmë duhet të merret me verifikimet e pretendimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar nga të dy shkallët e vettingut.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re