Skip to content

Nuk është Vlora e para disa javëve, por…

Të paktën 13 persona, përfshirë katër fëmijë, kanë vdekur pasi shirat e dendur goditën pjesën më të madhe të Spanjës lindore dhe jugore dje, të martën, duke përmbytur rrugët me ujë dhe baltë dhe duke shkaktuar probleme në udhëtimet hekurudhore dhe ajrore.

Imazhet e kapura nga banorët në celularët e tyre dhe të transmetuara nga televizioni spanjoll tregojnë ujërat e vrullshëm duke fshirë makinat dhe duke përmbytur ndërtesat.

Në disa zona, sasia e shiut që ra në 24 orë, zakonisht bie mbi një muaj, raportojnë mediat spanjolle.

Shirat e rrëmbyeshëm u shkaktuan nga një front i ftohtë që lëviz përgjatë pjesës jugore dhe lindore të Gadishullit Iberik. Përmbytjet e shpejta shkaktuan probleme serioze që në orët e para, duke detyruar autoritetet e zonave më të prekura që t’u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo udhëtim jo thelbësor deri në njoftimin e dytë.

Sipas TVE-së shtetërore, policia tha se të paktën 13 persona kishin vdekur nga përmbytjet. Në rajonin e Valencias kanë humbur jetën katër fëmijë, ndërsa gjashtë persona rezultojnë të zhdukur.

Disa orë më parë, kreu i autoriteteve lokale në rajonin e Valencias raportoi se autoritetet në Spanjën juglindore kishin gjetur “trupa”.

“Ata u gjetën të vdekur, por për respekt për familjet, ne nuk do të japim më shumë detaje”, tha Carlos Mathon.

Mbrëmë, autoritetet lokale raportuan të paktën shtatë persona të zhdukur: gjashtë në qytetin Letur, në provincën e Albacete, në rajonin Castile-La Mancha, dhe një tjetër – një shofer kamioni, në qytetin e Alcudia, në rajonin e Valencias.

“Jam i informuar me shqetësim për informacionet për personat e zhdukur dhe dëmet e shkaktuara nga stuhia në orët e fundit”, tha përmes X-it kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, duke u bërë thirrje gjithashtu qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. “Kini shumë kujdes dhe shmangni lëvizjet e kota”, theksoi ai.

Kujtojmë se javë më parë, Vlora përjetoi diçka të ngjashme, me përmbytje të shkaktuara nga rreshje të rrëmbyera në pak orë, por gjithsesi, veç dëmeve në biznese e familje, nuk pati dhe dëme në njerëz, mos o Zot ndonjë viktimë. Megjithatë, përmbytja nuk shpëtoi dot pa i gjykuar politikisht.