Herën e fundit që foli me të bijën ishte e martë (java e kaluar). E telefonoi nga veriu i Francës e bija, për t’i thënë se po bëheshin gati për të hipur në një barkë me nënën, motrën e të vëllanë e për t’u nisur drejt Britanisë.

Që nga jo kohë, ky baba nuk ka dëgjuar më për familjen e tij. Të nesërmen e telefonatës hapi televizorin për të parë lajmin se në kanalin anglez ishin gjetur të mbytur 27 persona, në tentativë për të kaluar drejt Britanisë.

BBC shkoi në banesën e Rizgar Huseinit, i cili është kurd e jeton në Irak. Rizgar është një ndër shumë kurdët e Irakut, që nuk kanë dëgjuar më lajme për familjen, që nga e mërkura e tragjedisë me 27 të mbytur.

“Po pres për lajme nga çdokush… dua vetëm të di nëse familja është gjallë apo e vdekur”-tha në lot babai.

E shoqja 45 vjeçe Kajali dhe fëmijët, Hadia 22 vjeçe, djali Mobin 16 vjeç dhe vajza e vogël Hesti, vetëm 7 vjeçe, u nisën të gjithë për emigrim. Ai nuk iu bashku orvatjes pasi nuk donte të humbte punën si oficer policie dhe për të patur një rrogë për çdo rast emergjence.

“Ata (familja) donin të iknin, fundja gjithkush do të jetojë një jetë me zemër e mendje të qetë… po të pyesësh këtu njerëzit nga 7 deri në 80 vjeç, asnjëri nuk ndihet mirë këtu”

Familja e Rizgarit u nis fillimisht në Turqi. Qëndruan me javë në një kamp dhe më tutje mundën të arrijnë në Francë. Atje u takuan me trafikantë të cilët i premtuan se do t’i kalonin në Britani. Të martën e shkuar vajza e madhe e mori në telefon për t’i thënë.

“Baba, për 5 minuta do të ikim, të gjithë po ngjiten në varkë”…. ndërsa babai i tha të bijës “Në rregull, vetëm kini kujdes

Kjo ishte telefonata e fundit.

“E kam telefonuar mbi 100 herë, por nuk ka asnjë përgjigje. S’mund të bëj dot asgjë… nuk fle, nuk ha, më duket sikur po çmendem”-tregon në lot babai i tre fëmijëve.

Pavarësisht kësaj, ai shpreson për një lajm të mirë.

“Nuk do të besoj asgjë derisa të dëgjoj zërat e tyre”

Vjehrra e Rizgarit, tregon se i kishte thënë të bijës të mos shkonte në këtë rrugëtim të rrezikshëm..

“I thashë të mos shkonte, të mos hynte në ato ujëra të rrezikshme”

Por e bija i ishte përgjigjur duke thënë se nuk e bënte për veten, por për të ardhmen e fëmijëve të saj.

“Jam nënë dhe fëmijët e mi kanë ëndrra, zemra ime digjet vetëm për ata. Ata duan të ikin atje, duan të shkollohen”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re