Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për mjekun nga Skrapari, Muharrem Nonaj që vdiq nga COVID-19 ditën e sotme.

Kryemadhi thotë se mjeku ishte model që të gjithë e donin e nderonin, i papërtuar dhe një jetë dedikuar shërbimit me përkushtim dhe ndershmëri.

Ajo shprehet se vetë bashkë me LSI janë pranë familjes, doktorit, kolegëve të mjekut dhe qytetarëve të Skraparit që do e kenë përherë në memorien e tyre.

Kujtojmë se doktori Muharrem Nonaj ishte babai i mjekut Bledar Nonaj që më 25 prill është kandidat për deputet në Berat nga radhët e LSI.

STATUSI NGA MONIKA KRYEMADHI

Nuk gjej dot fjalë, për të shprehur dhimbjen e madhe që ndjej për ndarjen nga jeta të mjekut të shquar të Skraparit, doktor Muharrem Nonaj.

Një jetë dedikuar shërbimit me përkushtim dhe ndershmëri ndaj qytetarëve, gjithmonë i papërtuar e kurdoherë pranë tyre, ai ishte modeli që të gjithë e donin dhe nderonin, e do të mbetet përherë në memorien e skraparlinjëve dhe e të gjithë atyre që e kanë njohur në qarkun e Beratit dhe më gjerë, shembulli i qytetarit model dhe të përkushtuar.

Në keto çaste dhimbjeje të madhe, unë dhe e gjithë Lëvizja Socialiste për Integrim jemi pranë familjes dhe të afërmve të doktor Muharremit; Shpresës bashkëshortes së tij dhe fëmijëve doktor Blenardit, Matildës e Arlindit, jemi pranë kolegëve të tij dhe të gjithë qytetarëve të Skraparit, të cilët doktori ynë i paharruar i deshi me gjithë shpirt dhe ju shërbeu deri në çastet e fundit të jetës.

U prehtë në paqe dhe i ndrittë shpirti!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re