Flakët në Llogara nuk kanë ndërmend t’iu nënshtrohen forcave zjarrfikëse, të cilat po punojnë pa pushim për t’i shuar, pasi ato janë ndezur përsëri brenda zonës së Parkut Kombëtar.

Burimet kanë konfirmuar për Fax News se banorët kanë njoftuar që flakët tanimë duken që nga rruga, por nuk dihet nëse kanë hyrë në pyll.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se Parku Kombëtar i Llogarasë nuk rrezikohet nga djegia pasi është bëre e mundur neutralizimi i flakëve dhe shuarje e tyre.

Ndërkohë që vatra të reja janë shfaqur në Leshnjë të Korçës, Qafën e Tërkuzit në Mal të Zi afër kufirit me Shqipërinë në Shetaj të Durrësit, Guri i Nikës në Pogradec dhe Fanjë të Prrenjasit, thuhej në njoftim.

“Tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën.

Forcat janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve. Në fshatin Trull, ku rrezikoheshin stane situata është nën kontroll. Për qetësimin e zjarrit do të bashkëpunohet edhe me forca ndihmë nga Kosova.

Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, e cila duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon”, tha Ministria e Mbrojtjes në njoftim midis të tjerash.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re