Analisti Fatos Lubonja komentoi arrestimin e Jamarbër Malltezit dhe masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Lubonja tha se ‘goditja’ e SPAK i duket më shumë si ‘goditje’ politike, ndërsa tha se “nuk guxojnë të prekin Edi Ramën”.

Sipas Lubonjës ky veprim i SPAK “si qytetar nuk më jep sigurinë që është një drejtësi që mbron, por më jep frikën që këta të pushtetshmit, do të të gjejnë ndonjë gjë, do të të lëshojnë SPAK dhe ti do mbyllësh gojën”.

“Mendoj se është goditje politike. Jo se këto nuk mund të jenë të vërteta, 30 vjet historia e Shqipërisë, për mua janë historia e njerëzve që marrin pushtetin dhe abuzojnë me pushtetin. Kjo është historia e Shqipërisë 30 vjet! Pa dyshim ka pasur favorizim për shkak të pushtetit, por e gjykoj politike sepse shikoj veprimet e SPAK. Duhet të gëzohemi ne siç gëzohen ca që tani kemi një drejtësi të reformuar që po godet ‘peshqit e mëdhenj’ në mënyrë joselektive, apo duhet të shqetësohemi se kjo drejtësi po përdoret kundër kundërshtarëve politikë. Mua të dhënat më çojnë të besoj se nuk kemi një drejtësi që po vepron në mënyrë joselektive.

Në rastin e Berishës ka bërë disa akte ligjore që janë të përgjithshme, por që lidhen dhe me rastin e Malltezit, që nuk është aq konkret sa inceneratorët, se Rama shkoi dhe i mbrojti. Kjo është provë që SPAK vepron me dy standarde. Kështu veçon individë që kanë ngrënë kumbulla, dhe këtu arreston ata që i kanë hapur rrugë. SPAK nuk është drejtësi që po bën drejtësi, por po bën politikë. Shoh një drejtësi të nënshtruar që nuk guxon të prekë kryeministrin dhe godet një që ka 15 vite që ka ik nga kryeministria. SPAK, duket sikur këta po japin nja dy ‘oficera’ për të marrë ‘damën’.

Ky veprim i SPAK mua si qytetar nuk më jep sigurinë që është një drejtësi që mbron, por më jep frikën që këta të pushtetshmit, do të të gjejnë ndonjë gjë, do të të lëshojnë SPAK dhe ti do mbyllësh gojën”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re