Artit shqiptar i është shuar mbrëmjen e kaluar një yll. Dje pasdite u nda nga jeta e madhja Liljana Cingu. Diva që sundoi skenën për rreth 50 vite me rradhë, iku për të na lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme të valleve shqiptare.

I ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “7pa5” në Vizion Plus ishte Genc Kastrati, koreografi popullor. Kastrati tregoi se Liljana ka qenë në gjendje kritike prej një muaji e gjysmë, por asnjëherë nuk i ka munguar shpresa dhe optimizmi për jetën.

“Takimi im i fundit me të ishte kur ishte në spital. Kishte një forcë të jashtëzakonshme, edhe në momentet e fundit fliste për vallet dhe për ansamblin. Interesohej se si mund të bëhej diçka për brezin e ri. Ishte shumë optisimiste dhe mezi priste të rikuperohej, sepse nuk i kishin thënë që ishte me kancer. Dhe ajo e mbante veten me shpresë”, tregon koreografi.

Genc Kastrati kujtoi performancën e tij të parë në skenë me Lili Cingun duke folur edhe për disiplinën dhe pasionin e pakrahasuar të saj.

“Mbaj mend solon e parë që kam patur me Lilin, kishim një turne në Kosovë. Maestro më cakton një moment solistik me Lilin, për një moment të vogël dhe ajo ka punuar me mua 2 javë rresht, për 20 seconda në skenë. Disiplinë e hekurt. Pasioni dhe punë e jashtëzakonshme”, tregon ai.

Kastrati shprehet se një artiste si Lili Cingu do t’i jemi gjithmonë borxhi dhe nuk ka asnjë titull apo dekoratë që të shpërblejë punën që ajo ka bërë për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re