Vrasja e të riut Albi Bashaliut që tronditi Peqinin, dyshohet se është një krim me pagesë, ndërsa hakmarrja për shkak të konflikteve është pista kryesore.

Sipas burimeve, ngjarja mbetet ende pa autorë, ndërsa policia shpreson të gjejë gjurmë të tyre në makinën e viktimës të cilën e braktisën në Kavajë.

Hakmarrja për shkak të hasmërisë me një familje në fshat dhe konfliktet e hershme, janë dy pistat ku janë përqëndruar hetimet për ekzekutimin e Albi Bashaliut të hënën në Gjoçaj të Peqinit.

Këto pista përforcohen nga e shkuara e 35-vjeçarit që ka qenë i hetuar për një atentat në vitin 2017, ndërsa i vëllai Leonard Bashaliu 6 muaj më parë vrau bashkëfshatarin Ylber Xhahysa.

Dëshmitarë e të afërm të viktimës, sikurse edhe anëtarë të familjes Bashaliu janë marrë në pyetje në funksion të hetimit. Por 24 orë pas vrasjes asnjë person nuk është në pranga.

Dëshmitë dhe dinamika e ngjarjes ndërkohë sugjerojnë se ekzekutimi i Albi Bashaliut mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

“Nuk ishin të anës tonë.”, shkruan Ora News.

Ekzekutimi mendohet se ka qenë i planifikuar mirë. Dy autorët kishin dijeni për lëvizjet e 35-vjeçarit ndaj i bënë pritë pranë lokalit të fshatit ku e vranë në mes të rrugës.

Skenarin e prishi vetem makina me të cilën ata erdhën në vendngjarje të cilën u detyruan ta djegin, pasi nuk u ndez gjatë tentativës për tu larguar.

Në këto kushte ata u detyruan të impovizojnë, duke rrëmbyer makinën e viktimës, e cila u gjet e braktisur në fshatin Gosë të Kavajës.

Burimet thonë se makina nuk është e djegur, çka u jep shpresë ekspertëve për gjetjen aty të provave të mundshme biologjike që mund të çojnë në identifikimin e ekzekutorëve të Albi Bashaliut.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re