Partia Demokratike përfunduar fazën e dytë të përzgjedhjes së kandidaturave që do të garojnë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një reagim të saj Anëtarja e Këshillit Kombëtar të demokratëve dhe njëkohësisht pedagoge, Haris Vongli zbuloi edhe arsyet pse emri i saj nuk ishte pjesë e listës së kandidaturave.

E ftuar në emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax News, Vongli tha se do të largohet për disa vite nga Shqipëria, pasi do të vijojë studimet për Doktoraturë në Britaninë e Madhe, ndërkohë që shtoi se u është mirënjohëse personave të cilët e donin emrin e saj në listën për deputete.

Vongli theksoi se e shikon Kuvendin si një kult, si një vend me përgjegjësi të lartë, duke nënvizuar se sot në Shqipëri Kuvendi është tërësisht ilegjitim, pasi ka vetëm 122 deputetë, nga 140 që duhet të kishte.

Po ashtu pedagogia shtoi se deputetët duhet të jenë më pranë popullit dhe jo vetëm në media sociale.

“Mendoj se personat që kanë qenë pjesë e përzgjedhjes së listës së kandidatëve për deputetë me njohin mirë dhe i dinë arsyet e largimit tim.

Unë do të largohem për disa vite larg Shqipërisë, pasi do të vijoj studimet për Doktoraturë në Britani. Në fazën që ndodhemi, në PD ka ndryshuar mënyra sesi janë propozuar kandidatët, mënyra sesi janë plotësuar formularët, mënyra sesi ato kanë shkuar në bazë nga grup seksioni. Unë jam mirënjohëse, pasi gjithë zona 2, ku unë banoj, ka propozuar emrin tim, unë kam plotësuar formularët e fazave përkatëse. Duke u qenë edhe mirënjohëse atyre që donin të isha në lista dhe në parlament, dhe unë e shoh si një përgjegjësi të madhe, pasi e shoh Kuvendin si një kult, por në këtë moment të jetës tim unë do të largohem, pasi kam vendosur që të filloj studimet e mia doktoraturë dhe post doktoraturë. Do doja që personat që nesër do të jenë në pushtet, do të jenë deputetë, nga cilado parti, të ishin më afër popullit dhe jo vetëm në rrjetet sociale.

Unë dua të theksoj që ne ndodhemi në kushtet e një parlamenti ilegjitim, pasi kushtetuta e përcakton që parlamenti të jetë legjitim, se na duhen 140 plot deputetë. Dhe opozita e re e futur ne parlament mund të kontestohet nga institucionet përkatëse në kushtet kur kemi një Gjykatë Kushtetuese, por ne nuk e kemi një Gjykatë Kushtetuese dhe si pasojë është krijuar një kaos konstitucional, shoqëror, politik në Shqipëri. Ky është një parlament që në Shqipëri nuk e kemi pasur asnjëherë. Unë e shoh Kuvendin me njerëz me integritet që japin llogari. “- tha Vongli.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re