23 persona u arrestuan dje nga Policia e Tiranës, nën akuzën e pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, dhe mosbindjes ndaj efektivëve të policisë, edhe pse protesta kundër rritjes së çmimeve e ka dëshmuar këto ditë që është paqësore.

Një grup aktivistësh dhe qytetarësh, kanë mbërritur në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e të gjithë personave të arrestuar, pasi vala e protestave do të vijojë në të gjithë vendin.

Pedagogu Ervin Goci, tha se protesta e nisur fillimisht në Tiranë ka marrë përmasa kombëtare, ndërkohë që i cilësoi qëndrimet e sotme të kryeministrit Edi Rama, si një lëvizje për të shuar revoltën e qytetarëve.

‘Protesta e Tiranës, është thjesht protesta e Tiranës, por tani protesta ka marrë përmasa qytetare. Kjo është një protestë që ka të bëjë qartazi me një vendimmarrje politike, kryeministri del sot dhe thotë që do të bëjë shtetarin. Po deri dje pse nuk ndërhynte?

Ajo që pamë sot ishte një shfaqje e shëmtuar, këtu qeveria dhe privati funksionojnë si aksionerë, shto taksa, hiq taksa, ne nuk kemi transparencë se sa është fitimi i këtyre kompanive.

Ky hall nuk zgjidhet me emergjencë, ne duhet të kemi një plan ekonomik, jo vetëm për naftën, por për të gjitha çmimet, këta njerëz që dalin dhe protestojnë, këta janë shteti. Iu bëj thirrje që të bashkohemi, ne nuk jemi matrapazë, që të themi ma ul 100 lekë apo ma ul 200 lekë”, u shpreh Goci.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re