Petrit Vasili deklaroi në Fax News se në tryezën e Këshillit Politik është shtruar disa herë çështja e ndryshimit të sistemit zgjedhore dhe tema e listave të hapura, por ka sqaruar se si mund të arrihet të bëhet në bazë të ligjit një ndryshim i tillë rrënjësor në proceset zgjodhore në vend.

Ai tha se LSI njihet si forca politike që e ka kërkuar sistemin e listave të hapura, e për këtë u ktye pas në kohë tek greva e urisë që është bërë në parlament për këtë çështje. Vasili sqaroi se ky ndryshim bëhet vetëm me ndryshimin e ligjit të referendumit, ndërsa duhet të vendos populli për sistemin që do.

Sipas tij, OSBE-ODHIR nuk ka dhënë rekomandime për ndryshimin e sistemit, po pavarësisht kësaj, ka diskutime mbi këtë çështje duke shtuar se nuk mund të lihet në dorën e parlamentit aktual një hap kaq i rëndësishëm.

“Së pari komisioni i reformës zgjedhore dhe Këshilli Politik mbajtën të njëjtën platformë pune. Do vëmë në jetë rekomandimet e OSBE-ODHIR. Nuk ka dhënë ndonjë rekomandim për ndryshimin e sistemit, megjithatë është përfshirë në diskutim dhe është diskutuar në Këshillin Politik dhe madje në 5 variante. Ne kemi një raport me këtë çështje shumë më të qartë. Ne jo vetëm kemi protestuar por kemi bërë veprime historike. Nuk besoj se e kemi harruar grevën e urisë ku kryesori ishte Ilir Meta që kërkonte listat e hapura.

Duhet të shprehet populli se çfarë sistemi zgjedhor dëshiron. Ky parlament është i paligjshëm, vetëm 82 deputetë janë të ligjshëm. Ne kemi kërkuar të ribëjmë ligjin e referendumeve dhe pas kësaj të pyesim shqiptarët se kush sistem është më i mirë. Atë që do populli patjetër. Listat e hapura ne i kemi kërkuar para të gjithëve. Ka plot modele, të zhvillohet një fushatë, të prezantohen modelet dhe të zgjidhet më i kërkuari. Nuk mund të bëjmë një model më të keq se i pari. KP e ka hapur këtë diskutim dhe në tavolinë të jenë jo vetëm anëtarët e Këshillit Politik por të gjitha grupet e interesit. Në ’98 kemi votuar bashkë me Kushtetutën edhe sistemin, ajo që u bë brenda 24 orëve në 2008 nuk mund ta bëjmë me këtë palo parlament për 24 orë”.

Ai ka folur edhe për tërheqjen e opozitës nga kërkesa për qeveri tranzitore, për të cilën tha se nuk ka një vendim të tillë, përkundrazi, theksoi se me ndryshimet që janë bërë, është krijuar hapësira e përshtatshme që kjo të ndodhë, por duhet presion popullor dhe politik që do të ketë paralajmëroi ai.

“Qeveria tranzitore është instrument politik i përshtatshëm për situatën që ndodhet Shqipëria. Sot ka vlerë dhe ne nuk kemi hequr dorë, të gjitha elementet lidhen me qeverinë tranzitore, por kur bëhet, me presionin politik dhe popullor, dhe do e shikoni që do vijë duke u shtuar. Ne duhet të jemi gati për instrumentat që duhen për të votuar. Unë nuk jam me ata që e kërkojnë ndërrimin e pushtetit me grykën e pushkës, ata që e duan këtë janë në parlament, unë jam për ndryshimin e pushtetit me votë”, tha Vasili.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re