Nga Ermal Mulosmani
Një sms i tme rshëm mbërriti në telefonin tim dje, në orët e hershme të mbrëmjes. Një mik i përbashkët më njoftoi për humbjen e parakohshme të Xhevdet Ferit!
U shtanga dhe s’po gjeja fjalë të reagoja. Si kishte mundësi vallë ky
kob kaq shpejt?! I shkruajta një “Mosss!” dërguesit dhe ndenja si i
mpirë për pak minuta.
Vdekja ia kishte mësyrë njërit prej më të mirëve që kam njohur.
Pak muaj më parë, mora vesh rastësisht që Xhoda ishte sëmurë, “ka kaluar një periudhë të keqe” – më tha dikush…
U tmerrova kur e mora vesh, u ndjeva fajtor, shumë fajtor.
“Si u ndamë kështu Xhodë” – thashë me vete atë ditë?!
Xhoda më nderoi me miqësinë e tij. Dikur ishte shumë intensive e më
vonë erdhëm duke e rralluar. Kombinim rastësish, por unë gjithmonë
mendoja se do shkoja ta takoja. “Ja, nga java tjetër se s’bën” – thoja
me vete.
Sa herë takoheshim 3 orë iknin si pa ndjerë…
Xhevdet Feri nuk ishte vetëm aktor brilant. Ai ishte njeri erudit së
pari. Me të mund të flisje për historinë, Bismarkun, Hitlerin Çurçillin,
Ruzveltin, Stalinin; kalonte nga letërsia klasike greke te letërsia
ruse ku ndjehej dobësia për Gogolin mbi të gjithë; Pastaj merrej me
ekzistencialistët , modernistët dhe përfundonte në dashurinë e tij më të
madhe, shkollën angleze të Teatrit. Fliste për Harold Pinterin,
Strindbergun, Dario Fo.
Më dukej sikur kishte lexuar në një jetë tjetër dhe kishte mbërritur i lexuar në këtë jetë.
Fliste me pasion për themeluesit e kinemasë moderne, Spilbergun, Ëoody Allen-in, Kubrik-un apo Scorsese-n….
Me të njëjtin patos , pak më pas zhytej në historinë e preferuar të
tij, fisin Feri, rrënjët në Plavën e dashur, mallin për vëllezërit e tij
nga babai që kishin mbetur në Sarajevë…
Aventurat e arratisjes së babait nga Jugosllavia, mbërritja në Durrës
dhe martesën me nënën shumë herë më të re i rrëfente bukur, shtruar
plot detaje.
Ishte një pus i madh i dijes, një karakter shumë i fortë, një personalitet artistik e njerëzor i jashtëzakonshëm.
Rrallë në jetë kam takuar një njeri me dimensionin kulturor, artistik
dhe me intuitën e Xhevdet Ferit. Nëse nuk do ishte aktor, padyshim mund
të ishte inxhinier, doktor apo shkencëtar i shkëlqyer. Sepse universi i
tij ishte jashtëzakonisht i gjerë, fantazia dhe dija e tij e kalonin
talentin e aktorit.
U takuam për herë të fundit në gushtin e këtij viti, të nesërmen e
ditës që mora vesh që “ka kaluar një siklet të madh”. E mora menjëherë
në telefon dhe e lamë të takohemi te Pazari i ri, jo larg shtëpisë së
tij. Ishte i lumtur, i gëzuar, zërin e kishte gjithë dritë. Më shpjegoi
gjerë e gjatë sesi sëmundja e kishte vënë përfundi, sesi shkoi te
spitali, doktori fantastik dhe së fundi rezultatet e analizave të
pabesueshme! Ishte aq kënaqësi ta dëgjoje atë gëzim fëmijëror në atë
trup të madh e me atë zë të thellë e burrëror! U binda edhe unë që e ka
kaluar.
“Nuk ka asnjë gjurmë të “bishës” në trupin tim” – më tha. Dhe e
besova. Ndoshta edhe sepse doja ta besoja, sepse shpresoja të bëhej
mirë. Ndoshta energjia e tij e asaj dite ishte e tillë sa ma përcolli
gëzimin edhe mua…
Ndenjëm gjatë, folëm për teatrin, Ramën, politikën… Pas dy orësh u ndamë. Për të mos u takuar më!
I dashur Xhodë,
Unë nuk shkruaj kurrë mesazhe për të vdekur. Sepse, mendoj se vuajtja
për humbjen e njerëzve të afërt është diçka thellësisht personale. Por,
mesazhin po e shkruaj për të thënë faleminderit për ndihmën e pakursyer
që më ke dhënë, për miqësinë e ofruar, këshillat e vlefshme; për netët e
kaluara bashkë duke folur pa fund, për të gjithë atë kohë që ma ke
dhënë me bujari.
Ti ke qenë një burrë i rrallë Xhodë, vërtetë burrë i rrallë! Babai yt, heroi yt do të kishte qenë krenar për të
