Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit, në mbledhjen e tyre të datës 5 Gusht 2020,midis të tjerave analizuan edhe situatën financiare në të cilën ndodhen klubet e Kategorisë Superiore në kushtet e pandemisë dhe ndryshimet në paketën ligjore për sportin të miratuar deri tani nga Kuvendi i Shqipërisë.

Situata e tejzgjatur e pandemisë dhe skenarët pesimistë për kapërcimin e shpejtë të saj, kanë dëmtuar financat e klubeve dhe financuesve të tyre, si edhe kanë zbehur në maksimum perspektivën e ofrimit të sponsorave seriozë dhe të qëndrueshëm.

Në këto kushte, anëtarët e Ligës, pas një analize të kujdesshme dhe profesionale, konkluduan se situata e tyre financiare për sot dhe në perspektivë, paraqitet mjaft e vështirë dhe pesimiste për vazhdimin normal të veprimtarisë sportive.

Të ndodhur përballë kësaj situate, anëtarët e Ligës i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të rishikojnë kuadrin aktual ligjor dhe të marrin disa nisma ligjore në kuadër të mbështetjes së veprimtarive sportive të Kategorisë Superiore, si më poshtë:

1.Ndryshime në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatimfitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, ç’ka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

2.Përfshirjen e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 %, si bujqësia dhe turizmi.

3.Faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të klubeve.

4.Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatimfitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 vite në 10 vite.

Realizimi i këtyre kërkesave do të mundësojë përmirësimin e gjendjes financiare të klubeve dhe do të rrisë besimin për ofrimin tek komuniteti i futbollit të sponsorave serioze dhe të fuqishëm.

Në rast të kundërt, klubet e Kategorisë Superiore do ta kenë të pamundur financiarisht të vazhdojnë veprimtarinë e tyre dhe do të jenë të detyruara të mosmarrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore që pritet të fillojë më 12 Shtator 2020.

Moszhvillimi i kampionatit të elitës së futbollit shqiptar do të përbën te një ngjarje të pa precedent në historinë e futbollit shqiptar, ç’ka nuk ka ndodhur as në vitin e vështirë 1997.

Liga Profesioniste e Futbollit është e gatshme për të diskutuar në momentin më të parë me strukturat përkatëse të qeverisë për gjetjen e një kompromisi në përmbushje të këtyre kërkesave.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re