Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar ditën e sotme një protestë me moton “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

 

“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

 

“Këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

 

Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhuna ndaj grave dhe femicidi nuk janë indcidente të izoluara  apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve.

 

“Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik. Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapsirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, thuhet në njoftim.

 

 

 

Sipas kësaj organizate, familja, shoqëria e shteti janë të tri hallkat në të cilat kërkojnë ndryshime rrënjësore dhe zhbërje të patriarkatit që po i dhunon e vret gratë.

 

“Ne kthehemi drejt tyre sepse e dijmë se ky sistem vrasës nuk është jashtë nesh. Andaj, këtë të marte, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare! Të martën, bëhemi bashkë të gjitha/ë në shesh, e çdo ditë tjetër luftojmë krahas vajza e grave. Për siguri dhe liri për gratë dhe vajzat në Kosovë!”, thuhet në njoftim./vizionplus.tv

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re