Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni ishte e ftuar në Fax News ku foli për përgatitjet e PS për zgjedhjet e 25 Prillit, ndërsa sqaroi domethënien e një prej shprehjeve të kryeministrit “Nuk kam besim as tek vetja ime, jo më tek drejtuesit”. Sipas deputetes, Rama nënkupton se ka standarde të larta dhe kërkon impenjim maksimal nga të gjithë.

“Nuk kam besim, nuk jam i kënaqur as nga vetja ime. Kjo është një shprehje që e kam dëgjuar edhe kur kam qenë ministre, edhe si deputete për faktin që ai gjithmonë ka standarde të larta, pritshmëri të larta, kërkesë llogarie dhe kërkon impenjim maksimal nga të gjithë”, sqaroi Gjermeni.

Në fjalën e saj, deputetja shtoi se mbledhjet e shpeshta të kryeministrit me drejtuesit e qarqeve tregojnë se qëllimi i tij i vetëm është puna për të arritur fitoren e mandatit të tretë. Gjermeni zbuloi se po punohet në 2 drejtime, ku njëra është listat e anëtarësisë për të cilat duhet të kenë informacion të gjithë ndërsa tjetra është për cilësinë e shërbimeve të qytetarëve.

“Fakti që drejtuesit e qarqeve po mblidhen shumë shpesh ndërsa zgjedhjet janë në Prill tregon që angazhimi vërtetë do të jetë më i madh, edhe presioni i tillë. Të marrësh një mandat të tretë në një vend demokratik nuk është e lehtë. Sigurisht 8 vite në pushtet përpiqesh të bësh më të mirën, nga ana tjetër ka dhe probleme dhe të pakënaqur. Mbase nuk arrin ti bësh saktë dhe si do, ndërkohë që mundohesh të japësh maksimumin”

Ka nisur puna.  Po punojmë në 2 drejtime, e para listat e të gjithë anëtarësisë që të jenë të updatuar, sa më reale, nga ana tjetër duke kërkuar llogari edhe për ata që punojnë, sidomos në shërbime, në takime direkt me qytetarët për cilësinë e shërbimeve të tyre, për mënyrën se si i respektojnë njerëzit dhe duke reflektuar që cdo institucion të jetë një shërbim të qytetarit. Kjo ka qenë moto e kahershme e qeverisjes, ndërkohë që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që situata të tilla kanë lënë gjurmë apo kanë pasur problematikat e veta dhe reflektimi për ti përmirësuar së bashku me ristrukturimin e partisë janë komponentë që shkojnë të harmonizuar për të pasur vërtetë ballin lart”, tha Gjermeni.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re