Kristjan Asllani është në garë me kohën për të qenë i gatshëm për ndeshjet e nëntorit me Kombëtaren shqiptare të futbollit. Një telash shumë i madh për trajnerin Silvinjo, meqë mesfushori është një nga elementët kyç të lojës së kuqezinjve.
Me kthimin e turkut nga dëmtimi, klubi i Interit ka vendosur që të mos rrezikojë më me mesfushorin shqiptar dhe e ka lënë jashtë grumbullimit për ndeshjen ndaj Venecias këtë javë. Mediat italiane bëjnë të ditur se tashmë Interi do të përpiqet që të rikuperojë pak më me ngadalë lojtarin shqiptar, për të mos sforcuar atë, duke shmangur ndonjë përkeqësim të mundshëm, meqë futbollisti është detyruar të stërvitet me gjurin e fashuar gjithë këto ditë.
Mosrikuperimi i Asllanit në një periudhë të shpejtë, apo edhe fakti se ai nuk po stërvitet në mënyrë të rregullt me pjesën tjetër të ekipit, padyshim që do të prishë planet e Silvinjos, i cili edhe nëse do të ketë në dispozicion lojtarin në ndeshjet e nëntorit, nuk do ta ketë në formën më optimale të mundshme.
