Trafikantët e njerëzve në La Mansh kanë përgjysmuar çmimin e kalimit me gomone drejt Britanisë së Madhe, në përpjekje për t`i bërë ballë rënies së ndjeshme të kërkesave nga emigrantët e paligjshëm shqiptarët.

“Telegraph” shkruan se bandat kurde e kanë ulur çmimin për një vend në një varkë të vogël drejt Mbretërisë së Bashkuar në vetëm 1500 paund nga 3500 që ka qenë, tarifa më e lirë për këtë lloj udhëtimi që prej fillesave të tij në 2018-tën.

Një lëvizje e tillë, thuhet në shkrim, vjen pasi numri i shqiptarëve që kalojnë La Manshin pësoi rënie me 90 për qind pas marrëveshjes së re që Londra nënshkroi më Shqipërinë dhjetorin e vitit të kaluar për një riatdhesim të shpejtë të klandestinëve.

The Telegraph shkruan se  “forcat policore britanike kanë shtuar goditjet ndaj shtëpive të barit, që dominohen nga bandat shqiptare, e po kështu janë ashpërsuar masat ndaj punësimit të paligjshëm”.

Ministrat britanikë besojnë se këto hapa kanë ndikuar në frenimin e hovit të emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve, të cilët vitin e kaluar përbënin një të katërtën e 45,755 emigrantëve që kaluan La Manshin. Të dhënat e fundit të Home Office tregojnë se deri më tani këtë vit, këtë rrugëtim e kanë ndërmarrë 24,000 emigrantë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re