Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një konferencë për shtyp, për të bërë publik qëndrimin e PD në lidhje me amnistinë penale.

Ai tha se PD është gati të votojë projektligjin fillestar për këtë amnisti duke marrë parasysh edhe propozimin e tyre për protestuesit.

I pyetur në lidhje me përcaktimin e afatit kohor për protestuesit që PD kërkon të amnistohet, Alibeaj dha që kjo u vendos pas një analize të bërë dhe rezultonte se gjatë kësaj periudhe filluan dhe mbaruan protestat e mëdha të PD, por ata janë të hapur nëse ky afat kërkohet të shtyhet përtej 2020.

“Nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë. Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hatim nga SPAK.

Një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, votat e PD nuk do t’i ketë. Nëse ministri me arrogancën e tij thotë se do të sigurojë vota, që do të thotë do të peshkojë vota, kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë, t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Lidhur me afatin kohor, e kemi vendosur në një analizë të kujdesshme, nga 2018 deri në 2020, kur filluan dhe përfunduan protestat e mëdha të PD.

Ne u treguam të kujdesshëm, por nëse ka një dëshirë dhe vullnet që për cështjen të protestuesve politike, për ne nuk ka asnjë problem. Nëse shihet mundësia që mund të zgjerohet përtej 2020, nuk ka asnjë problem nga ana jonë” tha Alibeaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re