Në muajin maj, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” shkoi në zonën e Bathores për të takuar një familje me 4 jetimë. Tre vajza dhe një djalë, të gjithë të mitur, të cilët i mbante me sakrifica të jashtëzakonshme nëna.

Pak kohë më parë, bashkëshorti i Marjanës kishte ndërruar jetë për shkak të një tumori në mëlçi. Ajo as nuk arriti ta shohë të shoqin, kur ky i fundit hyri në reanimacion, e nuk doli më i gjallë prej aty.

Marjana punonte, por rroga fare e vogël i mjaftonte vetëm për të paguar qiranë e për të blerë fare pak ushqime… aq pak saqë shpesh detyrohej të mos hante ajo vetë, për të ushqyer fëmijët.

Therëse ishte të dëgjoje vajzën e vogël të familjes Preçi, e cila tregonte se ndonjëherë nuk kishin për të ngrënë, apo se ajo nuk kishte lodra pasi nëna nuk kishte mundësi t’ja blinte.

“Shqiptarët për Shqiptarët” e përcollën këtë histori me qëllimin për t’ja ndryshuar jetën Marjanës dhe 4 jetimëve të saj. Shqiptarët iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar familjen Preçi dhe vogëlushët së bashku me Marjanën hynë në shtëpinë e tyre të re.

Muajt kaluan dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” shkuan sërish për të parë Marjanën me fëmijët. Sot në shtëpinë e re të familjes Preçi, nuk gjen më trishtimin e dikurshëm të fëmijëve, por gëzimin e buzëqeshjen e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re