Kreu i shoqatës së biznesit të vogël, Shpëtim Agolli ka shprehur shqetësimin e tij ndaj qeverisë që nuk po i ndihmon aspak dhe po shkakton problem për shtresën punëtore. Në një intervistë për Fax News, Agolli u shpreh se përgjigja më të cilën janë përballur është “nuk kemi fuqinë e vendeve të tjera”.

“Masat që duhet të marrë qeveria është që duhet të stimulojë nëpërmjet granteve, nëpërmjet parave cash. Duhet të stimulonte jo rënien e ekonomisë. Nuk është justifikim që qeveria thotë nuk kemi fuqinë e vendeve të tjera.

Bizneset më të prekura ishin restorantet, bar kafet dhe biznese të tjera. Edhe tregtia u prek pak ndërsa ndërtimi vazhdoi punë. Kishte biznese që nuk mund ta ndërprisnin aktivitetin si furrat e bukës apo ushqimoret. Por sot shikojmë që njëra pas tjetrës do të vijnë drejt rrënimit. Fusha e turizmit ka të punësuar rreth 100 mijë punonjës dhe 100 mijë të tjerë që janë të lidhur direkt me turizmin”, tha Agolli.

Sa i përket ankesave që bizneset kanë rritur cmimet në këtë sezon, Agolli thotë se shkak janë klientët e paktë dhe pronarët janë të detyruar që të mbulojnë shpenzimet.

“Biznesi shqiptar ka qenë në krizë. Ndoshta ngaqë klientët janë të paktë, mundohet të ruajë atë masë fitimi që të paktën të mbulojë shpenzimet sepse janë rritur më tepër për shkak të pandemisë. Mos të themi që krahasuar me 6-7 vitet e fundit taksat janë rritur edhe në zonat bregdetare. Normalisht këto duan të mbajnë gjallë aktivitetin e tyre. Nesër mund ta mbyllin, por janë drejt falimentit”, përfundoi kryetari i shoqatës së biznesit të vogël.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re