Ditën e sotme naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë, pasi kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

Naftëtarët kërkojnë takim me ministren Balluku dhe shprehen se nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre.

Ndërkohë, gjatë protestës së djeshme në qytetin e Ballshit pati përplasje mes protestuesve dhe uniformave blu.

Pas përplasjeve policia ushtroi kontrolle në banesa dhe rreth orës 19:00 të pasdites dhe ka shoqëruar 15 persona në komisariat.

Naftëtarët thonë se gjatë marrjes në pyetje, policia ka kërkuar informacion se përse ishin mbledhur dhe se kush e organizoi tubimin.

Pas kësaj procedure në komisariat, protestuesit shprehen se janë lënë të lirë.

Kjo është protesta e disatë e naftëtarëve të Ballshit.

Edhe më herët ata kanë kërkuar pagat e prapambetura dhe i kanë bërë edhe kërkesë ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, por kjo e fundit nuk u është përgjigjur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re