Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të zonës së ish-Uzinës “Auto Trajtori” në Tiranë tha se problemi më i madh i 30 viteve tranzicion është legalizimi i pronave.

Ajo tha se sa herë vjen fushata, njerëzit dëgjojnë të thuhet vetëm një gjë, legalizime.

Teksa foli për atë zonë, Kryemadhi deklaroi se kostoja për legalizimin e atyre shtëpive, shtetit nuk i kushton asgjë.

“Në 30 vite tranzicion njerëzit këtë betejë kanë, këtë hall kanë, dhe sa herë që vjen fushata elektorale të gjithë thonë: Legalizimi, legalizimi!

Ajo që është e rëndësishme sipas meje është që ky xhep këtu çfarë është? Po e le pa ujë, pa drita, pa legalizime, problem është. Çdo varfëri sjell një tjetër pasojë nga mbrapa. O do të sjellë krimin, ose vjedhjen, ose drogën.

Dhe ajo që mendoj unë është që, në qoftë se këtu janë 160 shtëpi, kostoja për këto 160 shtëpi shtetit nuk i kushton asgjë. Janë vetëm biletat e avionit dhe hotelet e qeverisë, kushdo qofshin, në daç të njërës e në daç të tjetrës qeveri.

Por a është më e rëndësishme të rregullosh 160 familje apo është më i rëndësishëm një imazh? Po të shikosh vetëm boost-et që bëjnë nëpër rrjetet sociale, këto pagesat për promovimet e rrjeteve sociale dhe mediave, nuk është asgjë.

Ne nuk kemi mësuar që politikën ta mbajmë peng. Nuk ka asnjë familjar që nuk do drita, ujë, rrugë, por jo pa qëllim të lënë pa drita, pa ujë e pa rrugë me qëllim që edhe pse prindërit sakrifikojnë me të gjitha mënyrat për të të shkolluar, në momentin që ti shkollohesh, o ikën jashtë shtetit, o ikën fare nga kjo zonë dhe e lë në harresë”, tha ndër të tjera kryetarja e LSI-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re