Komisioni Hetimor për dy koncesione në Shëndetësi ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Debati ka nisur për procedurën. Deputeti Plarent Ndreca, i cili është edhe nënkryetar i komisionit tha se nëse nuk zbatohet rregullorja e ka të lehtë  për të marrë një vendim dhe të largohet.

Nga ana tjetër, Albana Vokshi iu drejtua duke i thënë se ka një rol të vështirë, atë të prishjes së punës së Komisionit Hetimor.

Pjese nga debati

Ndreca: Bazuar nën nenin 10 të ligjit për komisionet hetimore, ky komision bashkëdrejtohet. Ta keni të qartë këtë, prandaj unë e merr fjalën. Megjithatë ju jeni spiker në këtë komision, jeni e para në mes të barabartëve.

Vokshi: Po dezinformon publikun, ky komision ka një kryetar dhe në mungesë drejton zv.kryetari.

Ndreca: A mund ta mbaroj?! Pse dhunoni fjalën time

Vokshi: Lexojeni mirë nenin

Ndreca: Sesi e lexoj unë e di unë, është detyra ime

Vokshi: Zoti Ndreca e kuptoj detyrën e vështirë që ju kanë dhënë

Ndreca: Mos më ndërprisni

Vokshi: Do ju ndërpres sa herë ju të mos e thoni të vërtetën.

Ndreca: Nëse e vazhdoni kështu unë  e kam të thjeshtë vendimmarrjen, nuk  marr pjesë në këto komisione që shkelin procedurën brenda komisionit.

Vokshi: Nëse detyra juaj është të pengoni këtë komision, nuk do ja dilni dot.

Ndreca: Unë po jap argumente! Ju vijoni me argumente partiake dhe me këto fjalime që na kanë ardhur në majë të hundës. Prandaj është ky komision! Ne jemi për të vërtetën këtu, nuk jemi për të dëgjuar rithemelimin. Ajo që them është të vazhdojmë me procedurën. Unë ngrita një shqetësim dhe mora edhe mendimin tuaj! Mendoni që duhet të vijojmë me një dokument të pazbardhur formalisht.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re