Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me operacionin e SPAK një ditë më parë, ku në pranga u vunë edhe zyrtarë policie.

Sipas tij, këto arrestime konfirmojnë qindra denoncimet e opozitës për lidhjet e drejtuesve të policisë me krimin.

Salianji shkruan se “depërtimi i krimit në politikë dhe përdorimi i bandave si shtabe elektorale ka prodhuar këtë situatë ku përditshëm shpërfaqen copëza të ngjarjeve ku nuk kuptohet ku fillon krimi e ku mbaron shteti”

“Arrestimet e fundit të drejtuesve të lartë të policisë konfirmojnë qindra denoncimet e opozitës për lidhjet e drejtuesve të policisë me krimin, për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, për promovimin e shefave të policisë në bazë të lidhjeve me krimin dhe promovimit prej krimit dhe jo mbi bazën e meritës dhe performancës në luftë me krimin!

Depërtimi i krimit në politikë dhe përdorimi i bandave si shtabe elektorale ka prodhuar këtë situatë ku përditshëm shpërfaqen copëza të ngjarjeve ku nuk kuptohet ku fillon krimi e ku mbaron shteti, apo akoma më keq koklavitjen dhe mpleksjen në një të shtetit me krimin!

Si përherë kemi inkurajuar e inkurajojmë institucionet ligjzbatuese për të luftuar pa dallim krimin, depërtimin dhe lidhjet e tij në nivele të larta të organeve ligjzbatuese apo të politikës!”, shkruan Salianji në një reagim në Facebook.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re