Nën monton ‘nuk mban më ujë pilafi’, duke iu referuar rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, e veçanërisht naftës dhe ushqimeve të shportës, Organizata Politike ka bërë thirrje për të mbajtur protestë në Tiranë, të mërkurën duke nisur nga ora 18:00.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, dhe në rrjetet sociale, bëhet me dije se marshimi do të bëhet në drejtim të kryeministrisë.

Postimi:

Rritja e çmimeve s’ka të ndalur. Nafta ka arritur 258 lekë/litër, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve dhe çdo produkti të domosdoshëm. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur.

Qeveria po dëshmon dita-ditës jo vetëm kapjen nga oligarkët, por edhe inkompetencë kriminale në administrimin e krizës. Oligarkët përfitojnë miliona euro subvencione, kurse më të varfrit marrin thërrime të cilave po u skadon afati. Ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfiton asnjë masë lehtësuese, bordet qeveritare janë shndërruar në kartele ku përligjet rritja skandaloze e çmimeve.

Në këto kushte, të durosh është luks që s’mund t’ia lejojmë vetes. Askush nuk mund t’i varë shpresat te një qeveri hajdute, e kompromentuar dhe e paaftë.

Populli duhet të marrë në dorë fatet e veta.

Të mërkurën, ora 18:00, nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Të gjithë në protestë!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re