Skip to content

“Nuk më ndodh përditë të marr duartrokitje nga të rinjtë”, Rama në Manastir: Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin

WhatsApp Image 2026 11 22 at 20.35.32

Kryeministri Edi Rama përmbylli vizitën e tij në Manastir, me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip, me një takim me të rinj shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues të universiteteve.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një koment që u duk si një referencë ndaj protestave studentore në Tiranë. Në përfundim të takimit, teksa po duartrokitej nga të rinjtë e pranishëm, kryeministri tha se një pritje e tillë nuk është e zakonshme për të, duke e lidhur këtë me atë që e cilësoi si një kohë të veçantë.

“Të marrësh duartrokitje sot nga të rinjtë nuk është diçka që ndodh përditë për mua. Ju e dini këtë. Sepse ka gjithmonë të rinj që duartrokasin dhe që nuk duartrokasin, që entuziazmohen dhe që hidhërohen. Sot është një kohë e veçantë, sepse ata që duan të duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë. Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin. Për shkak të kësaj specifike, të një kohe që është shumë kalimtare, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht”, u shpreh Rama.

Gjatë takimit, kryeministri foli gjithashtu për rëndësinë e gjuhës shqipe si element bashkues i identitetit kombëtar, duke theksuar nevojën për ta ruajtur dhe pasuruar atë.

Rama paralajmëroi për kërcënimet që, sipas tij, i vijnë shqipes nga zhvillimet e teknologjisë digjitale dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i anglishtes. Ai kritikoi përdorimin e shkurtimeve në komunikimin e përditshëm, si “Flm” apo “Klm”, si dhe lënien pas dore të ë-së, ç-së dhe shenjave të pikësimit.

Sipas Ramës, ruajtja e gjuhës shqipe kërkon angazhim të përbashkët, veçanërisht nga të rinjtë, institucionet dhe shqiptarët që jetojnë në diasporë.

Edi Rama: Një ditë prekëse pasi të hysh në godinën e Kongresit historik të Manastirit dhe të shohësh dokumentet, dorëshkrimet, shëmbëlltyrat atyre i dhanë jetë për 9 ditë atij Kongresi është e pamundur të mos mendosh për sa shumë gjëra ne i marrim si të mirëqena, a thua se kanë qenë gjithmonë kështu siç i kemi dhe i shohim sot. Në ndërkohë që për gjuhën që ne flasim shkruajmë për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë, janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme sakrifikuar jetë, është sakrifikuar një kohë shumë e gjatë dhe janë përfshirë një numër i pafund njerëzish për të cilët mbijetesa e gjuhës shqipe, trashëgimia e gjuhës shqipe, bartja nga një brez në tjetrin ka qenë mision jete.

Dhe unë dua sot këtu me ju të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin me përulje për të gjithë ata që er bartën shqipen deri ditët tona, që nga Parashqevi Qiriazi dhe patriotët e tjerë në Kongresin e Manastirit dhe të tjerët që u bën fuqia që u ndërtua dorëshkrimi historik Marrëveshja e Ohrit dhe për gjithë të tjerët deri te mësuesi i fundit i gjuhës shqipe në një pikë të botës, krahas punës për të mbajtur familjen shkon në një dhomë klasë për të mësuar fëmijët e diasporës. Kujtoj një shqiptare me nderim të madh, që ia kushtoj jetën çështjes shqiptare dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në veçanti, i cili është ndër ata që dhuruan më së miri gjuhën shqipe dhe e vunë në dispozicion të një kauze, Arbën Xhaferri.

Natyrshëm kremtojmë ditën e Alfabetit, festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nuk duhet të harrojmë se çfarë është shqipja. Një kopsht, më i madhi që së bashku ne kemi, kopsht xhevahiresh që duhet punuar. Që duhet kultivuar dhe pastruar, për tu pasuruar dhe trashëguar. Në një kohë kur gjuha shqipe është në një tjetër lloj kërcënimi, e kohës së re të teknologjisë digjitale. Kur më të rinjtë mësohen të shkruajnë me shkurtime, TKXH, KLM RRQ dhe harrojnë se fjalët në atë mënyrë dobësohen treten dhe gjuha e shkurtuar fillon e tkurret.

Zhduken shenjat e pikësimit. Zhduken pikat mbi ë, mbi i, zhduken bishtat e ç-vë. Fjalori kthehet në një territor të kufizuar dhe në 200 300 fjalë ndërtohet komunikimi mes njerëzve. Dhe mungesa e shumë fjalëve i bën të vështira kalimin e urave të komunikimit. Jo vetëm teknologjia por edhe dominimi më i madh i anglishtes e bëjnë më të vështirë mbijetesën. Pa gjuhën ne thjesht nuk jemi. Këtë vetëdije duhet ta kultivojmë që të gjithë sipas mundësisë dhe pozicioneve tona. Tjetër marrëdhënia me shqipen në tiranë, tjetër në Prishtinë, tjetër në Tetovë, Nju Jork apo Zyrih. Por shqipja është një. Për të ardhur te shqipja e njësuar. Është dashur një histori shumë e gjatë përpjekjesh. Për ta mbrojtur dhe kultivuar duhet një përpjekje e gjithanshme, nga vetëdijesimi i të rinjve dhe mbrojtja e shqipes nga zhdukja në sytë dhe mendjet e më të vegjëlve fare.

Të marrësh duartrokitje sot nga të rinjtë nuk është diçka që ndodh përditë për mua. Ju e dini këtë. Sepse, ka gjithmonë të rinj që duartrokasin dhe që nuk duartrokasin .Që entuziazmohen dhe që hidhërohen. Sot është një kohë e veçantë sepse ata që duan duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë. Ata që duan flasin tremben nga ata që nuk duan flasin. Për shkak të kësaj specifike, të një kohe që është shumë kalimtare, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht.