Sot hyjnë në fuqi masat e reja të koronavirusit në vendin tonë, ku do të mbyllen të gjitha bizneset në orën 22:00 dhe do të ndalohet lëvizja e qytetarëve deri në orën 06.00. Psikologia Denata Toçe ka folur në një lidhje skype me studion e Fax News duke thënë se është kundër këtyre masave pasi edhe shkollat e kopshtet janë burim infeksioni, ndryshe nga ajo që deklaroi Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Nuk jemi Italia. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Jemi Shqipëria ku kemi sistem arsimor ku niveli i sigurisë lë për të dëshiruar. Kemi parë raste me edukatore që për shkak të numrit të fëmijëve, jo të gjitha kopshtet kanë masat e duhura, shohim që ka edukatore, mësues e nxënës të infektuar mbi moshën 10 vjeç.

Mendoj se duhet të marrim sa më parë masa, jo të reagojmë kur dëmi është bërë. Nëse vazhdojmë të mendojmë se shkollat nuk janë burim infeksioni, se baret dhe restorantet qekan burim infeksioni veç pas orës 22, se njerëzit tashmë janë ndërgjegjësuar, JO! Pse sot kemi në spitale më shumë të rinj? Sepse brezi i vonë po bën më shumë kujdes. Pra duhet të marrim masa graduale.

Nga ana tjetër duhet të marrim masa jo të zakonta për të një situatë jo të zakontë. Kjo është një arsye pse kam kërkuar mbylljen e shkollave. Bashkë me shkollën kërkoj që të merren dhe vendet ku rreziku është i madh.

Nuk mendoj që nga 22 e natës deri në 6 të mëngjesit u bëka nami i madh. Mendoj që ka risk sidomos në fundjavë. Përvecç orareve që do pengonte bizneset e vogla dhe të mëdha, mendoj që duhet të ketë rregulla strikte për grumbullimet. Shoh njerëz që nuk kanë maska në rrugë, futen në lokale e markete pa kurrfarë ndroje që do të thotë se këto rregulla nuk po funksionojnë”, tha Denata Toçe.

Psikologia tregoi se cila është strategjia më e mirë që mund të bëhet në këto ditë pandemie është zbatimi i masave të Covidit, mbështetja financiare dhe stabiliteti i shëndetit mendor.

“Strategjia më e mirë është që t’ia japin përgjegjësinë bizneseve, pra të mos hyhet pas maskë, në të kundërt ti vihet gjobë edhe bizneseve. Do të duhet urgjentisht që të krijohet një komfort për pjesën e popullatës që ekonomikisht është e dobët, pra nuk kanë mundësi për maska apo dezinfektantë. Është shumë i rëndësishëm stabiliteti i shëndetit mendor dhe kam thirrje të fortë që ky virus ka mbrapa dhe një traumë. Fakti që njerëzit e asociojnë virusin me vdekjen sjell një traumë. Vetëpërvoja e kalimit të virusit sjell një traumë në vetvete”, tha Toce.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re