Fshati Mukje i Krujës, një fshat me histori është në qendër të një konflikti për pronat. Banorët që kanë lindur dhe janë rritur aty ankohen se pronat po i grabiten nga një ish-pronar. Ata thonë se janë afro 50 familje që kanë probleme me pronat.
Sipas banorëve, te cilet denoncuan per Fax News, pronat po i ‘gllabërohen’ nga një person që në të dy shkallët e gjyqësorit ka fituar të drejtën e pronësisë. Por kjo kundërshtohet nga banorët që thonë se janë banorë autoktonë me gjyq dhe stërgjyq.
“Kemi problem të madh me këto pronarët e tokave, janë bërë 5-6 pronarë që janë bërë bashke dhe kanë blerë me hektarë. Ne kërkojmë vetëm drejtësi nga drejtësia. Jemi këtu trashëgimtarë të gjyqërve tanë. Duam ta denoncojmë në SPAK, se kanë blerë me mijëra hektarë. Kush jua njeh këto hektarë. Shpijat dalin sikur është tokë e lirë, ndërkohë shpijat janë bërë që në kohë të Ramiz Alisë,” u shpreh njëri nga banorët.
Një tjetër banor tha se nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre pasi i kanë ndërtuar me mund.
“Meshit Vorbsi quhet. Ka blerë gjithë këtë fshat. Këtu janë 50 familje. E quajnë sikur është arë buke, këtu s’ka arë buke. Kërkojmë ndihmë. Përndryshe vetëm me bo vetëgjyqësi, se ça do bësh. Në vitin 90 i kemi zënë ne. Komisioni nuk na i ka dhënë. Ja kemi çu dëshmitarë në sallë të gjyqit kanë dëshmu se ne nuk e kemi dit ku janë pronat, se jemi dhe miq. Edhe 200 mijë lekë të vjetëra e kanë shit një dynym tokë. Ne tani nuk mund të dalim nga shpijat. I kemi ndërtu me mund dhe gjak. Një jetë në kurbet kemi qenë”, tha nje tjetër banor.
Kjo çështje prej shumë vitesh mbetet problematike dhe banorët orvaten në dyert e institucioneve për një zgjidhje. Fax News kontaktoi dhe ish-pronarët, të cilët jashtë kamerave thanë se do t’i shkojnë deri në fund çështjes për të marrë pronat që i kanë lënë të parët.
Fshati Mukje është një fshat me histori, pasi aty u nënshkrua më 2 gusht 1943 marrëveshja midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste për të bashkërenduar rezistencën shqiptare për Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë etnike.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
