Artistët Limoz dhe Adriana Dizdari nuk kanë ndërmend të lirojnë Qendrën e Artit në Ksamil, që sipas tyre po tentohet t’iu rrëmbehet me të gjitha format.

2 artistët erdhën në Ksamil përpara 20 vjetësh për të kthyer një godinë të shkatërruar në ‘97 në Qendër Arti.

Ata shitën shtëpinë në Tiranë për të ndërtuar Qendrën e Artit DEA në Ksamil, në të cilën sot janë ndërprerë energjia elektrike dhe uji me qëllim detyrimin e tyre për ta braktisur Qendrën e Artit.

Mirëpo, Limoz Dizdari tha sot për Fax News se nuk kanë ndërmend të lirojnë godinën dhe se nuk do të dorëzohen pavarësisht presioneve që i bëhen.

Artisti u shpreh se ai dhe bashkëshortja e tij nuk kanë frikë nga vdekja, prandaj dhe nuk largohen nga godina.

“Deri në ekstrem na është ushtruar presioni. Nuk kemi frikë as unë as Adriana nga vdekja, sepse askush nuk është i interesuar të na bëjë heronj. Shpresa vdes e fundit. Nuk e vë në dyshim që drejtësia do të vijë në vend. Këtij populli nuk mund të ja marrësh pronën e tij. Fakti që po sillen në këtë mënyrë është tepër e ndyrë“, tha ai.

Dizdari thotë se prona është shitur në ankand, mirëpo ai kërkon që ankandi duhet të kishte lajmëruar ata më parë.

“Nuk janë persona të panjohur. Dritat i ka prerë KESH-i dhe ujin ujësjellësi. Kjo është fare e qartë. Ka 30 vite që pronat janë shitur dhe vazhdon akoma vjedhja sistematike vjedhja e pronave të shqiptarëve. Mbasi kanë shitur pronën e sindikatave dhe nuk kanë të drejtë të shesin pronat, thonë se e kanë blerë në ankand, unë nuk e di se ne cilin ankand. Ankandi duhej të ishte lajmëruar më para dhe të ishim dhe ne në ankand. Këto janë mashtrime, me qëllimin e lig për të rrëmbyer pronat. Kjo është e gjitha. Shqipëria ka pasur 154 qendra arti dhe kulture në gjithë Shqipërinë. Sot ka mbetur vetëm kjo ku jemi vendosur unë dhe Adriana. Kemi 23 vite që jemi këtu”, deklaroi Dizdari.

I pyetur për hapat e mëtejshme, Limoz Dizdari u shpreh se i janë drejtuar SPAK prej 1 jave, por ai shtoi se nuk është SPAK institucioni i fundit që do i drejtohen për ndihmë.

“Qëllimi jonë është fisnik. Nuk largohemi nga këtej. Ky popull duhet ta kuptojë që vullneti i tij mund të ndalojë gjërat. Me vota të shitura, të blera, të vjedhura, të grabitura, nga njerëz pa identitet, nuk mund të vazhdohet të drejtohet Shqipëria. Nuk mund të drejtohet vendi nga rrugaçëria, duhen njerëz të dijes. Shpresa e fundit është SPAK. Ka një muaj që i kam çuar një dozë voluminoze SPAK dhe shpresoj të hedhë dritë. SPAK nuk është fundi i botës, fundi i botës është dielli. Vetëm nëse dielli do shuhet, vetëm, atëherë populli humb. Do të jem këtu për të shërbyer kësaj”, tha ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re