Protestat për rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve të ushqimore do të vijojnë.

 

Organizatorët e protestës kanë kërkuar nga qeveria që të reagojë ndaj kërkesave të tyre, në të kundërt paralajmërojnë përshkallëzim të protestave duke bllokuar rrugën dhe protestuesit do të ulen në tokë. Ditën e nesërme në orën 11:00 pritet që të zhvillohet protesta në Tiranë, ku qytetarët do të mblidhen nga e gjithë Shqipëria për të marshuar nga sheshi Skëndërbej drejt Kryeministrisë.

 

“Prej më se një jave kemi protestuar të gjithë së bashku duke kërkuar nga qeveria masa në ndihmë të konsumatorëve dhe bizneseve për të përballuar krizën drastike të çmimeve. Qysh pas ditës së parë të protestës pamë se si u ndryshua qëndrimi nga “Qeveria nuk mund të ndërhyjë, duhet të shtrëngoni rripin, të kurseni, të ecni në këmbë…” në “Qeveria ka gati paketë masash”. Me vazhdimin e protestave, më pas u kalua në “Qeveria ul çmimin e karburantit”, për të vijuar me “Qeveria përgjysmon furnizimin me karburant të institucioneve” dhe së fundmi, “Qeveria do të ulë çmimin e disa produkteve ushqimore”. Ne sajë të protestave dhe zërit të qytetarëve, qeveria nisi të bëjë detyrën e saj për kontroll të ngritjeve abuzive të çmimeve dhe marrjes se masave!!

 

Brenda një jave janë shpallur 3 paketa anti-krizë dhe është vënë në lëvizje një fushatë e pandalshme për të bindur qytetarët mbi vlefshmërinë e masave. Për t’i bindur qytetarët që të mos dalin në shesh! Por, a i përgjigjen masat nevojave të qytetarëve në kohë krize?! Jo, ato janë të pamjaftueshme! Shumica e tyre nuk ofrojnë garanci që çmimi i naftës dhe produkteve të tjera do të qëndrojë i ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe që qytetarët nuk do të jenë më pre e vjedhjes dhe abuzimeve”, tha aktivistja Rezarta Çaushaj

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re