Menaxheri i hotelit ku qëndruan kontrollorët e Albcontrol, ka treguar detaje nga shoqërimi i tyre në polici.

Në një intervistë për ‘News 24’, Dashi Shehu tha se policia kishte mbërritur jashtë hotelit rreth orës 22:00, ndërsa priste një urdhër për shoqërimin e tyre.

Sipas tij, kontrollorët janë shoqëruar në polici rreth orës 23:30, ndërsa theksoi se nuk bënë rezistencë.

Kujtojmë se në polici u shoqëruan 26 kontrollorë, ndërsa tre prej tyre qëndrojnë aktualisht në komisariat.

INTERVISTA

Si ka qenë situata?

Rreth 25 dhoma ishin prenotuar. Disa prej tyre kishin marrë dhoma, disa ishin tek bari. Rreth orës 23:00 erdhi policia dhe i mori.
Ata kishin marrë dhoma pas orës 20:00?

Ata kishin prenotuar dhoma, pasi nuk kishin ku rrinin

Rreth çfarë ore erdhën policët?

Rreth orës 22:00 kishte ardhur policia. Furgonat po prisnin jashtë që të merrnin urdhër.

A kanë paguar kontrollorët?

Ne i kemi faturuar, por shpresojmë që pagesën ta bëjnë sot.

Po pjesëtarë të stafit tuaj u shoqëruan?

U morën dhe dy pjesëtarë të stafit për sqarime të mëtejshme. Pas 2-3 orësh u lanë të lirë.

Keni pasur kontakte me policinë?

Policia këtu u shfaq rreth orës 22:00 të darkës, po monitoronin kontrollorët dhe më pas bënë thirrjen dhe i shoqëruan. Policia në dhoma nuk u futën. Kontrollorët i thirrën përmes telefonit. Pak a shumë ata ishin përgatitur se diçka mund të ndodhte.

Ka pasur tensione gjatë shoqërimit?

Situata ishte e qetë. Ata kishin dhe avokatin aty gjatë kohës dhe kur ikën në komisariat.

A janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë nga ana e policisë?

Pamjet nuk na janë kërkuar. Por jemi në dispozicion.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re