Eksperti i IT, Gent Progni, njëherësh një prej figurave më të përmendura të protestave masive që po vijojnë prej 20 ditësh në Tiranë kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, i ftuar në programin e drekës në News24, ka folur mbi revoltën qytetare dhe hapat që duhen ndjekur për ndryshimin e situatës në vend.

Progni deklaroi se qytetarëve u ka ardhur në majë të ballit dhe  me të vërtetat që pretendojnë se kanë partitë politike dhe se njerëzit nuk pranojnë më metodat e vjetra të rrotacionit politik ku politikanët ndryshojnë por bashkëpunojnë po njësoj.

Duke u ndalur te organizimi i protestës, eksperti i IT sqaroi se në shesh janë të pranishme të gjitha rrymat dhe se mikrofoni është i hapur për çdo qytetar që dëshiron të ngrejë zërin.

“Unë kam nxjerrë një shprehje të re nga kjo protesta. Shprehja ‘na ka ardhur në majë të hundës’ është bërë ‘na ka ardhur në majë të ballit’. Nuk durojmë dot më. Njerëzit nuk janë budallenj, nuk janë me metodën e vjetër se ndryshohen politikanët dhe vjen një ndrysim i ri e pastaj bashkëpunojnë po njësoj. Ka ardhur në majë të hundës me pronësinë e së vërtetës që pretendojnë se kanë partitë politike. Mendoj se njerëzit për fatin e mirë ka qenë edhe një shkëndijë që i ndezi për të dalë në protestë. Aty janë të gjitha rrymat. I kuptoj mosbesimet, ka njerëz që nuk e duan mikrofonin, unë nuk kam ndaluar njeri të flasë, aty flet kushdo që afrohet të flasë dhe pret në radhë. Janë pafund ata që vijnë për të folur. Unë do doja të vinin më shumë intelektualë, është mendimi im”, u shpreh Progni.

I pyetur për zgjidhjen e kësaj situate politike, Gent Progni theksoi se pika kyçe dhe fillimi i ndryshimit mbetet vetëm dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, çka sipas tij do të sillte rritje masive të pjesëmarrjes në shesh për të kërkuar përmbysjen e ligjeve që mbajnë peng votën.

“Nuk do doja t’i hynim teknikaliteteve se si zgjidhet situata. Mendimi im është nëse Rama jep dorëheqjen, dhe do e japë, është guri i parë i dominosë që rrëzohet. Mendoj se dorëheqja e tij sjell një ekzaltim për të dalë në protestë dhe numrat do rriten më shumë. Më pas do kërkojmë nga Parlamenti të shfuqizojë ligjet duke nisur kodi zgjedhor i vitit 2008 ku e vendosin këta si duhet të votojmë, kë duhet të votojmë etj. Kryesorja është dorëheqja”, përfundoi Gent Progni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re