Të gjitha diskutimet për ekonominë fillojnë nga ato që vijnë si raporte të përpiluara nga institucione monetare ndërkombëtare, ku shpesh drejt Shqipërisë janë drejtuar kritika për mënyrën e menaxhimit, kryesisht për transperencën e cila ka qenë kritika thelbësore që vendi ynë ka marrë pothuajse në çdo raport.
Në një intervistë për Fax News, ekonomisti, Dritan Shano foli për lirinë e mendimit apo lirinë për frymë siç edhe ai e konsideron në shkrimet e tij.
Dritan Shano: Zhvillimi i ekonomisë është i lidhur drejtëpërdrejtë me masën e lirisë që ka një shoqëri dhe sidomos atë të individit. Kjo përcakton nëse kemi shoqëri , demokraci ekonomi të shëndetshme. Ne çalojmë në këtë pikë sepse mjafton të shohim të gjithë indekset e korrupsionit dhe transparencën dhe kur sheh aty se ku renditet Shqipëria e kupton sa pak liri ke.
Çfarë do të thotë korrupsion? Mungesë liri për të mos bërë atë që ke në mendje, pa kaluar më parë në filtra burokratike. Kjo e përcakton lirinë ekonomike dhe jo rritja e GDP-së. Norma e rritjes së GDP-së influencohet fort nga shpenzimet qeveritare, nëse ti merr borxh si ‘i shkalluar’ atëherë edhe GDP-ja do rritet. Kjo nuk mund të përkthehet në mirëqenie por përkundrazi në një kosto për qytetarin.
Kjo përkthehet në situata të pakëndshme, siç mund të thuhet që morëm borxh për të paguar pagat dhe pensionet. Këto janë gjëra në fakt që i përkasin një studenti në vit të dytë por jo njerëzve që merren me politika publika dhe që duan të arrijnë ndryshime në këtë vend. Ndryshmet mund të vijnë vetëm kur të materializohet liria e individit që lidhet drejtëpërdrejtë me disa elementë të rëndësishëm të qëndrueshëm:
1-Prona Private
2-Mundësia për të konkuruar lirisht në tregun ekonomik, politik, kulturor.
Një nga nyjet që mban të shtërnguar fort Shqipërinë në mungesën e krijimit të lirisë ekonomike është prona private. Kjo pronë është e paqartë, e paregjistruar, dhe është gjithmonë pre e qeverisë, të individëve të lidhur me qeverinë të konsideruar si investitorë publikë. Po ashtu është pre e lehtë e individëve që kanë ‘CASH’ në dorë në rastin konkret këta janë të lidhur me trafikun e narkotikëve.
…
/faxweb
