
Nga Shkodra, Ervin Salianji ua bëri të qartë drejtuesve të PD se nuk ka në plan të tërhiqet nga rruga që ka nisur pavarësisht presionit që po i ushtrojnë.
Ndonëse preferoi të mos i përmendë me emër, Salianji tha se presionin nuk e njeh, e sidomos nga njerëz që përballë “regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”.
“Rrogëtarët e PD s’duan t’i shohin sallat plot, që mbushen jo vetëm prej meje, por prej pakënaqësisë që meritën që i takon dhe rregullat e lojës merren dhe hidhen në kosh të plehrave. Mendojnë se na bëjnë presion duke u thënë një mijë çudira, presionin nuk e njoh, as njerëz më të rëndësishëm se këta, s’më ka bërë presion as Rama duke u përballur në burg ku vendosi regjimi dhe shumë njerëz që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”, tha Salianji.
Edhe njëherë u kujtoi se nga partia nuk e përjashtojnë dot, duke thënë se nuk është pronë e tyre.
“PD ka një statut dhe nuk ka asnjë shans që të përjashtohet dot askush nga PD. Për shkak se zyrtarëve të PD, rrogëtarë dhe përfituesve nuk iu vjen mirë që funksionin që kanë ta mbajnë me punë por duan ta mbajnë me marifete dhe qyl shpikin terma që nuk ekzistojnë. Nuk ka vetëpërjashtim, ka vetëpërfshirje, vetëpërballje do t’ia dalim deri në fund që të ndryshojmë PD. Politika është shërbim nuk është pronë. Se anëtarësia e PD dhe qytetarët nuk janë pronë, por aksionerë”, theksoi Salianji.
