Projektligji për bastet online ishte caktuar për t’u votuar në seancë plenare, por kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi kërkoi tërheqjen e tij nga rendi i ditës në mënyrë të pashpjegueshme.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi tërhoqi të enjten nga rendi i ditës i seancës plenare projektligjin për “Lojërat e Fatit” në mënyrë të pashpjegueshme.

Ligji i shqyrtuar prej më shumë se 4 muajsh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u miratua të martën pas ndryshimeve të fundit të arritura me konsensus me ministrinë e Financave dhe u fut në rend të ditës në seancën plenare të radhës.

Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla njoftoi kërkesën e Çuçit për ta tërhequr dhe me 74 vota pro të deputetëve socialistë, projektligji u tërhoq nga rendi i ditës pa caktuar një datë tjetër për votimin e tij.

Çuçi nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes së BIRN mbi arsyet e tërheqjes së projektligjit.

Qeveria “Rama 3” vendosi të rikthejë bastet sportive 5 vite pasi i mbylli ato me ligj dhe ndërmori një aksion me emrin “Fundi i marrëzisë”, ndërkohë që aktiviteti lulëzoi në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë këtyre viteve.

Qeveria pranoi se kishte dështuar të kontrollonte aktivitetin e paligjshëm duke sjellë një ligj që synonte të rikthente në shinat ligjore këtë aktivitet.

Pavarësisht kundërshtimit të tij nga opozita, aktorëve të tjerë të sektorit të lojërave të fatit dhe rezervave të deputetëve socialistë, projektligji u miratua në komisionin përgjegjës duke ndryshuar draftin fillestar të ardhur nga qeveria.

Drafti final parashikon vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë, duke caktuar kuotën limit 30 për qind të aksioneve për aksionerët e huaj në kompanitë konkuruese, si dhe mekanizmin e ankandit për të përzgjedhur fituesit.

Deputetët vendosën që të sanksionojnë përjashtimin e organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, si dhe hoqën nga anëtarësia e Komisionit për dhënien e Licencave, Presidentin e Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Presidentin e Komitetit Olimpik.

Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë koncensionare që ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qëndror të monitorimit online. Ky kontroll do të bëhet nga Komisioni i Licencave nëpërmjet auditimit.

Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të llotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”. /BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re