Pas zgjedhjeve të 11 majit, ku nuk arriti të sigurojë fitoren, kandidatja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ka reaguar përmes një mesazhi publik mirënjohjeje drejtuar mbështetësve të saj, duke theksuar se për të, kjo garë ka qenë një fitore në një formë tjetër.
“Kam një përqafim të madh për secilin prej jush — dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën,” shkruan Gjylameti, duke falënderuar votuesit nga Njësia 4, nga i gjithë qarku i Tiranës dhe ata nga diaspora.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo thekson se çdo votë dhe çdo shprehje besimi është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë. “Në këtë garë nuk ka humbës — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër,” shprehet Gjylameti.
Gjylameti i cilëson zgjedhjet si një përvojë të vlefshme që i ka dhënë më shumë vetëdije për angazhimin e saj politik. “Kjo garë më ka dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.”
Ajo shprehu falënderime të veçanta për ekipin e saj, familjen dhe Kryeministrin Edi Rama për besimin dhe përkrahjen gjatë fushatës.
Duke iu referuar sfidave të procesit zgjedhor dhe angazhimit të Partisë Socialiste, ajo shtoi: “Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për jetët tona.”
Mesazhi përmbyllet me reflektim dhe vendosmëri: “Zgjedhjet mbaruan. Sovrani foli. Politika për njerëzit vazhdon.”
Reagimi i Gjylamentit:
Të dashur miq, familjarë dhe mbështetës të mi në garën e 11 majit,
Kam një përqafim të madh për secilin prej jush — dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën.
Kudo që ishit — në Njësinë 4, në të gjithë qarkun e Tiranës, dhe mbi të gjitha ju që votuat nga diaspora — dua t’ju them faleminderit.
Çdo votë, çdo shprehje besimi, është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë.
Në këtë garë nuk ka humbës — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër.
Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane.
Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse.
11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari.
Faleminderit secilit prej jush.
Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen.
Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne – më mirë se kushdo tjetër – e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste.
Beteja jonë vazhdon. Për angazhimet që kjo forcë politike ka marrë.
Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për jetët tona.
Mirënjohëse.
Këto zgjedhje, kjo garë, më kanë dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.
Zgjedhjet mbaruan.
Sovrani foli.
Politika për njerëzit vazhdon