Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish ministrit demokrat, Bashkim Kopliku, i cili humbi betejën me koronavirusin. Ndonëse nuk u takuan kurrë, Rama shprehet se flisnin shpesh nëpërmjet rrjeteve sociale për punë të caktuara të qeverisë.

Kryeministri nuk guxoi kurrë të pyeste për kë votonte, po thekson se “distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën.”

Në shkrimin e tij në Facebook, shton se do i mungojnë mesazhet dhe miku i tij që e deshi si personazh libri.

Edi Rama: BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes whatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opionionit e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.

Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.

Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.

Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar.

U prehsh më në fund në paqe miku im🙏

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re