12 shkurt/ATSH /- Policia e Beratit ka gjobitur përfaqësuesin e një partie politike në Kuçovë, me vlerën 5 000 000 lekë, pasi organizoi një aktivitet politik në mjediset e një lokali, në kundërshtim me masat antiCOVID. Po ashtu Policia, ka gjobitur edhe pronarin e lokalit me vlerën 1 000 000 lekë.

“Vijojnë kontrollet nga Policia, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19”,- njofton Policia e Beratit.

“Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ”,- bën të ditur Policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat antiCovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët. /a.a/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re