Zv/Ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi në një lidhje Skype për Fax News u shpreh se është hera e parë që në Shqipëri ka pasur turizëm gjatë gjithë vitit gjë e cila është bërë e mundur nga zbulimi i atraksioneve të reja dhe rikthimi në identitet i qyteteve shqiptare përmes ringritjes urbane.
Ndërsa në lidhje me ndikimet që ka pasur periudha e pandemisë në turizëm Çuçi tha se falë paketave mbështetëse nga qeveria është bërë e mundur që të mos ketë falimentime.
“Turizmi është ndikuar në të gjithë botën, por ne kemi arritur të mos kemi falimentime . Një nga paketat më të rëndësishme mbështetëse të pandemisë në kuadër të gjithë sektorëve që u bë nga qeveria ka qenë për turizmin. Pagat mbështetëse që u dhanë për turizmin kanë qenë më të larta se gjithë sektorët e tjerë dhe kjo është arsyeja se pse turizmi është parë me një prioritet shumë të madh nga qeveria si një prej industrive të vërteta që ne kemi në vendin tonë.
Mbështetja që i është dhënë turizmit e ndihmoj atë që të mos rrënohej në këtë kohë pandemie si shumë sektorë të tjerë. Një ndihmesë e madhe iu dha edhe bazuar në të gjitha inisiativat që qeveria shqiptare mori për protokollin e rregullimit të gjithë këtij sektori , rregullimit të çështjeve brenda pandemisë për këtë sektor.
Kemi pasur një numër të madh dhe të konsiderueshëm turistash jo vetëm nga Kosova të cilët janë gjithmonë kampion në vizitimin e Shqipërisë, por nga ana tjetër një fashë shumë e madhe e këtyre turistëve ka qenë prej Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Është hera e parë që po flasim për një turizëm gjithë vjetorë, të mos shtrirë vetëm në 45 ditët e sezonit turistik veror, por tashmë në të gjithë vitin. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në gjithë këtë shtrirje gjithë vjetore ka qenë zbulimi i atraksioneve të reja në Shqipëri. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj ka qenë edhe rikthimi në identitet i qyteteve shqiptare, ringritja urbane ka shërbyer jashtëzakonisht shumë për vizitueshmërinë e këtyre qyteteve, edhe qytetet që kanë ngelur për një kohë të gjatë të qyteteve të pavizitueshme“-u shpreh Çuçi.
(S.D/Faxweb.al)
/faxweb
