Përfaqësues të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, iu drejtuan mediave pak pas mbylljes së qendrave te votimeve në orën 19:00.
Teksa falënderuan qytetarët për një proces të rregullt zgjedhor, ata thanë se do të presin rezultatin paraprak të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për hapat tutje.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pret me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.
Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.
“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se nuk bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jo, ju fola jemi gëzuar që është krijuar mundësia me krijua qeverinë opozita dhe do të bashkëpunojmë me partitë opozitare”, tha ai.
Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, ka kërkuar më shumë durim deri në nisjen e publikimit të rezultateve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Exit pollet japin vetëm indikacione ne duhet t’i respektojmë institucionet dhe te presim rezultatet besoj shume shpejt. Keni durim edhe pak”, ka thënë ministri i Kulturës të dielën në mbrëmje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e 5.29% të votave në Kosovë.
Sipas rezultateve paraprake të raportuara nga mediat në Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 37.18% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 25.10% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.28%.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe partnerët e saj të koalicionit kanë siguruar 8.86% të votave deri tani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pas procesimit të 90.68% të votave, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 40.04 %.
Siç bëri të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një konferencë për media në mbrëmje, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar mbi 789 mijë qytetarë.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e shkuara, të drejtën për votë e kishin shfrytëzuar mbi 827 mijë votues.
Qytetarët e Kosovës patën sot mundësinë të shprehin vullnetin e tyre gjatë orëve të votimit, ndërsa komisionet zgjedhore kanë nisin procesin e numërimit të votave.
Në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.